Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka njoftuar për zhbllokimin zyrtar të Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe se nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK.
Rohde nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se nga tani Kosova do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e saj.
“Me të vërtetë lajm i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tash, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, siç do të duhej dhe jo me UNMIK. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë trup rajonal”, shkroi Rohde.
Ambasadori Rohde ka shpërndarë edhe lajmërimin e ministres gjermane të Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, lidhur me CEFTA-n.
“Ballkani Perëndimor po afrohet më afër së bashku. Në Procesin e Berlinit ne arritëm të punonim së bashku për ta zgjidhur nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Duke bërë këtë, ne hapim rrugën për përmirësime konkrete për banorët vendas. Dhe forcojmë Evropën tonë të përbashkët”, ka shkruar shefja e diplomacisë gjermane.
Ky lajm vjen pak ditë pasi Qeveria e Kosovës e ndryshoi masën e sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë, nga “ndalim” në masën “kontroll i shtuar”, vetëm në një pikë kufitare, respektivisht në Merdarë.
Takimi i CEFTA-s po mbahet në Beograd, ku Kosova përfaqësohet nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Gjermania ka insistuar më së shumti për heqjen e masës. Përfaqësuesit e këtij shteti kërcënuan se nëse ajo nuk do të hiqej, Kosova nuk do të ftohet në samitin e Procesit të Berlinit, që është planifikuar të mbahet më 14 dhe 15 tetor të këtij viti.
Nga dhjetori i vitit 2021, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.