Mehmet Kraja, publicist dhe shkrimtar ka folur rreth identitetit kosovar. Ai ka deklaruar se Shqipëria, asnjëherë nuk duhet që ta shohë Kosovën si provincë të sajën. Thotë se kjo çështje ka mundur të bëhet por që nuk është bërë. Andaj aspiratat e tilla, sipas Krajës janë të kota.
“Ta zëmë, Shqipëria nuk duhet ta shikojë më Kosovën si provincë të saj (ka mundur të ishte, por nuk është më, kjo ka marrë fund!) dhe as idenë për bashkim kombëtar ta kultivojë përmes pikëpamjeve aneksioniste dhe identitetin e saj lokal, të ngritur tashmë në identitet shtetëror (pra, jo kombëtar) ta shikojë si identitet të “nivelit të dytë”, ka thënë akademiku Kraja.
Ai në intervistën e dhënë e veçon gjuhën si një komponentë të rëndësishme të identitetit. Në një kohë kur duket sikur debatet për identitetin janë të mbyllura, Kraja rikthen përmes librit “Identiteti kosovar.
Kraja thotë se identiteti kosovar si identitet lokal është i qëndrueshëm dhe nuk ka pse të luhatet. Por sipas tij, si identitet kombëtar është i paqëndrueshëm, sepse nuk ka arritur të konsolidohet dhe as që të arrijë të bëhet ndonjëherë
“Me një fjalë, a është Kosova shtet i pavarur zgjidhje politike e përkohshme apo e qëndrueshme, kjo mbetet të shihet për një periudhë të ardhshme së paku 50-vjeçare. Tani për tani, dy shtete shqiptare në Ballkan dhe një shtet tjetër ku shqiptarët participojnë me pjesëmarrje të konsiderueshme, janë zgjidhje e pranueshme për të gjithë shqiptarët. Problemet e mbetura pezull ka shumë gjasë të zgjidhen përmes integrimeve dhe komunikimit intensiv”, thotë Kraja.
- Çështja e identitetit ka qenë një debat i vonë ndër shqiptarët, kryesisht pas luftës në Kosovë, ku për herë të parë duket se u ndje nevoja për të folur rreth çështjes së kombit e shtetit… Ishin këto debate e dilema identitare që ju shtynë drejt hulumtimit të kësaj çështjeje?
-Pa u marrë me debate dhe dilema identitare, siç thoni ju, më duket se është e nevojshme që në fillim të bëj disa sqarime: libri “Identiteti kosovar”, si botim i parë (2012), u shfaq në një si “kohë të ndërmjetme”, kur Kosova, edhe pse kishte shpallur pavarësinë (2008), nuk po gjente qetësi. Me pavarësinë një numër çështjesh nuk morën shpjegimin përkatës. Dukej sikur akti i shpalljes së Kosovës së “mosvarun”, sikundër që do të dalë edhe më vonë, nuk kishte dhënë përgjigje në një numër çështjesh të mbetura pezull, madje disa syresh sikur ishin bërë më të mprehta dhe kërkonin përgjigje të shpejta dhe mundësisht pa ekuivoke. Pas protektoratit ndërkombëtar, i cili i qeverisi kosovarët në një mënyrë disi të ngatërruar dhe të dezintegruar, Kosovës i duheshin jo vetëm institucionet me atribute që nuk i kishte pasur ndonjëherë, por i duheshin edhe kuptime ndryshe, pra të vihej në funksion një terminologji tjetër juridike-kushtetuese, të konstituohej shteti i administratës, i ekonomisë, i policisë, por edhe shteti i gjuhës, shteti i arsimit dhe i kulturës. Në atë fazë Kosova kishte shumë paqartësi, ndër të tjera edhe mënyrën si do të funksiononte “pavarësia e kushtëzuar”, e përcaktuar me “Pakon e Ahtisarit”, por nga të gjitha paqartësitë dhe dilemat, më lëndues ishte rikthimi në diskutim i çështjes së identitetit kombëtar. Pra, kush ishin kosovarët? Cili ishte identiteti i tyre? Bashkë me shtetin, a duhej të bëhej edhe kombi, një komb i ri, i cili do të diferencohej qartë nga kombi shqiptar? Kjo ishte shumë tronditëse për një numër kosovarësh, të cilët për një kohë të gjatë iu kishin kundërvënë pushtimit dhe shkombëtarizimit, duke pasur mbështetje të fortë pikërisht identitetin shqiptar. Në të vërtetë, ky diskutim, që kishte filluar më herët, që me çlirimin e Kosovës nga NATO dhe me vendosjen e saj nën protektorat ndërkombëtar, i sponsorizuar nga fondacionet e huaja dhe me një përfshirje të gjerë të shoqërisë civile të Kosovës, kishte një prapavijë të shëmtuar: në atë fazë, në fazën para pavarësisë, ai duhej ta përgatiste Kosovën të zinte një pozicion “neutral” ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, në mënyrë që statusi i saj, nëse nuk do të zgjidhej me një rikthim nën Serbi, të mbetej përjetësisht çështje e pambyllur. Pra, në këtë rrethanë, identiteti kosovar u bë identitet subversiv dhe dezintegrues, me konotacion të qartë politik. Pas pavarësisë situata nuk ndryshoj shumë. Tani që u bëmë shtet, a duhet të bëheshim edhe komb? A ishte kjo përmbyllja përfundimtare e çështjes shqiptare në Ballkan? Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, duke dashur që Serbia ta bënte gjumin të qetë, se një Kosovë me identitet të luhatshëm nuk do të bashkohej me Shqipërinë dhe me kohë do të mbetej “tokë e askujt”, e lehtë për t’u gëlltitur nga Serbia në çdo rrethanë, i rikthyen në vëmendje edhe një herë çështjet identitare. Por diskutimi nuk ishte aspak konstruktiv, as i mbështetur, sepse filloi të merrte nëpër këmbë çdo vlerë, historike dhe aktuale, të hershme dhe më të vonë, përfshirë edhe sakrificat më të mëdha njerëzore. Çfarë po ndodhte në të vërtetë? Një çështje e mbyllur, një proces i përfunduar historik 100 vjet më parë, atëherë kur Kosova e kishte përmbyllur çështjen e përkatësisë kombëtare, për arsye konjukturale, gjithsesi jashtësore, po rikthehej sërish në agjendë politike. Një numër kosovarësh, sa të shitur e sa të blerë me para të thata, ca të tjerë budallenj dhe me mendje çiliminjsh, pa u hamendur, u bënë krah i fortë i këtij subverisoni antikombëtar dhe antihistorik. Pra, një situatë afërsisht e njëjtë sikur tani: një çështje e përfunduar dhe e mbyllur, siç ishte pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, rikthehet në tavolina bisedimesh për shkak të një marrëzie të pashembullt, të thuash lapidare, shqiptare dhe kosovare njëkohësisht. Thënë me një fjalë, libri është një kundërvënie, për mendimin tim e argumentuar, ndaj të gjitha ideve dezintegruese rreth Kosovës.
- Ju e quani librin “Identiteti kosovar”, duke bërë kështu të qartë se mund të flasim për dy identitete ndër shqiptar, ai kosovar dhe ai shqiptar…?
– Në dukje të parë kështu është, por në të vërtetë libri jep përgjigje tjetër, të qartë dhe të prerë: as përmes historisë, as përmes kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore, madje as përmes zhvillimeve politike të kohëve të reja, identiteti kosovar nuk i është kundërvënë identitetit shqiptar, por, duke qenë identitet lokal, gjithnjë ka qenë në bashkëveprim me të ose i varur prej tij. Në libër unë them se kosovarët nuk kanë arritur, ndonjëherë as nuk kanë dashur të krijojnë ngjarje historike të ndara dhe të mosvarura nga bota shqiptare, siç nuk kanë krijuar as konstalacion kulturor të pavarur. Ata, ta zëmë, nuk kanë dashur të bëjnë gjuhën e tyre letrare, madje as atëherë kur e kanë pasur një mundësi të tillë. Nuk kanë dashur të bëjnë as letërsinë e tyre më vete, ndonëse, deri-diku, e kanë pasur një mundësi të tillë. Më anë tjetër, duke jetuar për një kohë të gjatë në rrethana të ndryshme shoqërore dhe politike nga ato të Shqipërisë, ata kanë krijuar përvojat e tyre në të gjitha fushat, të cilat i kanë edhe disa specifika identitare, por nuk kanë as mëvetësi as veçanti që të promovohen si përbërës identitarë të ndarë nga bota shqiptare.
- Sa e pranishme është fryma mitologjike në debatet apo studimet mbi identitetin?
-Përbërësit mitologjikë, pra mitet e formës së arketipit, siç do të thoshte Levi-Stros, janë përbërës identitarë në çdo trashëgimi kulturore. Në këtë pikë shqiptarët paraqiten relativisht të integruar ndër veti, që domethënë se në faza të caktuara të jetës së tyre kolektive kanë pasur qarkullim përvojash njohëse dhe gnoseologjike. Por ky është një diskutim specialistësh, i cili nuk është përfshirë në këtë debat, rreth miteve si përbërës integrues identitarë nga njëra palë, apo për të theksuar veçantitë dhe ndarjet nga pala tjetër. Në libër nuk jam marrë me këtë çështje, por jam marrë, për aq sa e kam parë të nevojshme, me mitin serb të Kosovës, që nuk është mit i formës së arketipit, por një ekzagjerim romantik i ca rrëfimeve të përhënta kalorësiake. Mitet serbe për Kosovën janë rrëfime legjendare, siç janë te ne këngët ose rrëfimet për Gjergj Elez Alinë, apo “Rapsoditë…” e De Radës, pra një rikëndim romantik për bëmat e heronjve mesjetarë, vetëm se serbët, duke marrë mbështetjen e fuqive të mëdha europiane, mitit të tyre për Kosovën i dhanë funksion politik. Ndërkaq, shqiptarët nuk krijuan mitin e tyre për Kosovën, sepse ata ishin aty rezidentë. Rrëfimet e këtilla mitologjike, siç është edhe miti serb për Kosovën, krijohen kur popullsitë zhvendosen, për shkak të luftërave të mëdha, siç ka ndodhur me hebrenjtë, siç ka ndodhur me arbëreshët tanë, të cilët krijuan legjendat tona më të bukura. Por ky debat nuk u zhvillua së fundi në Kosovë dhe as përreth saj, sepse serbët në këtë pikë konsiderojnë se e kanë fituar betejën, kurse shqiptarët sikur janë pajtuar që legjendat për Kosovën t’i lihen Serbisë, ndërsa jeta reale t’iu takojë shqiptarëve. Besoj se në këtë pikë tashmë janë ndarë rolet dhe kohët: shqiptarët e konsiderojnë të tyre antikitetin e Kosovës dhe në njëfarë mënyre serbët janë pajtuar me këtë; serbëve ju takon mesjeta kishtare, bashkë me mitet dhe legjendat kalorësiake dhe shqiptarët në njëfarë mënyre janë pajtuar për këtë; shqiptarëve, nga ana tjetër, ju takon pjesa e tyre e historisë së Kosovës dhe serbëve ju takon, po ashtu, pjesa e tyre e historisë dhe për këtë kanë mbetur të pajtohen të dyja palët. Por askush tashmë nuk e shtron dilemën se aktualiteti në Kosovë iu takon atyre që arritën të mbijetonin në atë hapësirë, edhe përkundër kërcënimeve të vazhdueshme për zhbërje.
- Zhvendosja e shtatores së Skënderbeut në Prishtinë kohë më parë, përtej entuziazmit do të shoqërohej me një sërë debatesh mbi faktin se kujt i shërben ai, dhe se a qëndron tashmë Kosova- shtet drejt ndërtimit të një identiteti të ri? Sa kanë ndihmuar mitet në historinë e identitetit?
-Më duhet t’ju korrigjoj për një gjë: nuk ishte zhvendosje, ishte vendosje, ngritje e monumentit të Skënderbeut në qendër të Prishtinës. Ky fakt, siç ndodh zakonisht në raste të këtilla, u shoqërua me eufori, me shumë zëra mbështetës, me ndonjë zë kundërshtues dhe, natyrisht, me shumë simbolikë. Duhet ta themi qartë, pa ngurrim, se figura e Skënderbeut te shqiptarët është figurë integruese dhe identitare, siç janë heronjtë e këtillë te shumë popuj të Europës. Kot e kontestojnë Skënderbeun ca zëra periferikë, të nxitur nga mania e rrënimit ose nga idetë fundamentaliste. Por derisa europianët shtatoret e heronjve, në shumicën e rasteve, i kanë ngritur në fund të shek. XIX ose në fillim të shek. XX, kosovarët dhe shqiptarët në Maqedoni e bënë një shekull më vonë, atëherë kur u erdh mundësia për një gjë të tillë. Përveç kësaj, përmes shtatores së Skënderbeut, shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë manifestuan një lojalitet të thuash të qëndrueshëm dhe të paluhatshëm ndaj integrimit në botën shqiptare dhe qëndrueshmëri po kaq të vendosur në identitetin e tyre shqiptar. Ajo që mbetet për të diskutuar është përfshirja dhe funksionalizimi i kësaj përmendoreje në traditën shtetërore të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe një si dilemë e paekzagjeruar: Pse kosovarët nuk insistuan që shtatoren e Skënderbeut ta kishin në mes të Prishtinës që më 1968.
- Historia dhe ajo çfarë ka ndodhur deri tani në Kosovë a ka bërë të lundrojë në një identitet të përkohshëm?
-Identiteti kosovar si identitet lokal është i qëndrueshëm dhe nuk ka pse të luhatet; si identitet kombëtar është i paqëndrueshëm, sepse nuk ka arritur të konsolidohet dhe as që të arrijë të bëhet ndonjëherë; si identitet shtetëror do të varet nga rrethanat politike brenda botës shqiptare, por edhe në kontekst më të gjerë. Në pikëpamje historike, shqiptarët e Kosovës, njësoj si shqiptarët në përgjithësi, e kanë përmbyllur procesin e bërjes së kombit, pra edhe të identitetit, por nuk e kanë përmbyllur funksionalitetin e tij. Kjo do me thënë se luhatshmëria nuk është më dilemë identitare, por funksionale. Me një fjalë, a është Kosova shtet i pavarur zgjidhje politike e përkohshme apo e qëndrueshme, kjo mbetet të shihet për një periudhë të ardhshme së paku 50-vjeçare. Tani për tani, dy shtete shqiptare në Ballkan dhe një shtet tjetër ku shqiptarët participojnë me pjesëmarrje të konsiderueshme, janë zgjidhje e pranueshme për të gjithë shqiptarët. Problemet e mbetura pezull ka shumë gjasë të zgjidhen përmes integrimeve dhe komunikimit intensiv. Natyrisht, problem mbetet cilësia e këtyre shteteve, të cilët nuk funksionojnë si duhet dhe, më sa shihet, nuk kanë për të funksionuar edhe për shumë kohë. Kjo ka bërë që shqiptarët, tani më shumë se kurrë, të firojnë nga një erozion i jashtëm, nga emigracioni, i cili, për shkak të oligarkive të instaluara në krejt hapësirën shqiptare, ka marrë përmasat e çmendurisë. Vetëm se, ajo që mbetet tani të diskutohet është intensiteti i integrimeve brenda botës shqiptare dhe modernizimi i disa pikëpamjeve recidiviste. Ta zëmë, Shqipëria nuk duhet ta shikojë më Kosovën si provincë të saj (ka mundur të ishte, por nuk është më, kjo ka marrë fund!) dhe as idenë për bashkim kombëtar ta kultivojë përmes pikëpamjeve aneksioniste dhe identitetin e saj lokal, të ngritur tashmë në identitet shtetëror (pra, jo kombëtar) ta shikojë si identitet të “nivelit të dytë” . Një avancim i këtillë i pikëpamjeve dhe botëkuptimeve recidiviste në Shqipëri e ndihmon integrimin shqiptar dhe krijon parakushte që të braktisen idetë subversive dhe dezitegruese, siç është ndarja e Kosovës, apo krijimi i një kombi të ri.
- Debatet mbi identitetin sot ku duhet të fokusohen?
-Për mendimin tim, çështjet identitare në botën shqiptare tashmë janë të mbyllura. Diskutime ka dhe duhet të ketë, por ato duhet të qëndrojnë larg përdorimit politik, siç ishte rasti i bërjes së kombit kosovar, për ta manipuluar më lehtë statusin e Kosovës etj. Synime për të krijuar shkarje do të ketë pikë do të ketë edhe në të ardhmen dhe unë pres që, pas njëfarë kohe, një diskutim i tillë të hapet edhe te shqiptarët e Maqedonisë, sepse atje luhatjet identitare janë shumë provokuese, qoftë në raport me shtetin, qoftë në raport me fenë.
- Duket se ka një dominim të rolit të fesë në kahjet e identitetit sidomos në Kosovë?
-Jo, mendoj se gjërat po qartësohen dhe një debat pak i ngatërruar dhe i ashpër, në të cilin kam marrë pjesë qoftë me këtë libër, qoftë me tekste të tjera publicistike, ka ndihmuar që gjërat të marrin një kahje më të favorshme dhe zhvillimet të bien ne në ujëra më të qeta. Në Kosovë nuk ka më paqartësi rreth fundamentalizmit islamik, nuk ka paqartësi as rreth grupeve ekstremiste, sikundër nuk ka paqartësi as rreth atyre grave dhe fëmijëve fatkëqij, që kanë mbetur shkretëtirave të Arabisë, pas shpërbërjes së ISIS-it. Nuk ka paqartësi as rreth rolit të Turqisë, të Erdoganit dhe të doktrinës së tij politike, sikundër që nuk ka paqartësi as me lojërat që bëjnë politikanët tanë, në Kosovë, në Shqiëpri dhe në Maqedoni, me ndjenjat fetare të popullit dhe të besimtarëve. Natyrisht, Shqipëria është më e avancuar jo në debat, por në perceptimin e tolerancës dhe të barazisë fetare dhe në mënjanimin e ekstremizmit fetar; Kosova konservative ende është ndjeshme, por nuk është e papërballueshme; ndërsa shqiptarët e Maqedonisë kanë koeficient më të lartë të ndjeshmërisë fetare dhe një deficit intelektual për t’u përballur me këtë problem. Nuk e kuptoj, si është e mundur që disa intelektualë shqiptarë të Maqedonisë, shkrimtarë, profesorë universitarë etj., përfshirë edhe disa miq tanë, bëjnë jetë të dyfishtë, me moral të dyfishtë, me angazhime intelektuale aq të dyfishta dhe të paqëndrueshme, sa nuk ta pret mendja. Te shqiptarët e Maqedonisë, pas procesit të emancipimit që tashmë ka filluar dhe është zhvilluar deri-diku, duhet të nisë procesi i përballjes me vetveten, me pamjen e vet në pasqyrë, siç u përballëm dhe po përballemi ne në Kosovë.
- Ju flisni në libër për mercenarizëm fetar…
-Po, është një fenomen i tmerrshëm, është një tregti ndjenjash fetare, me të cilën ne nuk ishim mësuar, siç nuk ishim mësuar me drogën, prostitucionin etj. Tani këto fenomene ndodhin, por në raport me fenë kjo në Kosovë ka një impakt problematik: po të ishin kohë të qeta; po t’i kishte Kosova të gjitha çështjet e zgjidhura, një “lojë” me fenë nuk do sillte ndonjë pasojë. Por në një situatë konfuze, çfarë e kemi ne, mercenarizmi fetar është andrallë shtesë, për arsye se në këtë mercenarizëm është e përfshirë bota akademike, janë të përfshirë politikanët e të gjitha niveleve, strukturat e sigurisë e të gjitha niveleve, bashkësitë fetare dhe, natyrisht, besimtarët e zakonshëm. Megjithatë, sikundër e thash, në Kosovë ndihet një kthim gradual në normalitet. Kjo besoj se do të ndodhë.
- Ju shkruani letërsi… Sa kanë ndihmuar letërsia dhe artet në identitetin shqiptar. Cili është roli i tyre sot?
-Në librin “Identiteti kosovar”, në mes është vënë një kapitull i gjerë, i cili bën fjalë për identitetin kulturor. Nuk dua ta përsëris tani se çfarë kam thënë atje, por për një gjë jam i sigurt: Kosova, për qëndrueshmërinë e saj identitare i falet dy përbërësve të rëndësishëm: gjuhës shqipe (përfshirë edhe gjuhën letrare, pra standardin) dhe letërsisë, ku hyn gjithsesi, në rend të parë, letërsia e Rilindjes dhe letërsia e traditës në përgjithësi, pastaj letërsia e Shqipërisë dhe letërsia origjinale, natyrisht. Ishte një periudhë, kur ne shkrimtarët në Kosovë idealin kombëtar e kishim edhe ideal krijues. Ky ishte një përdorim i letërsisë, sipas modeleve të atëhershme ideologjike dhe për këtë tani askush nuk besoj se ka ndonjë dilemë. Për mua, atë kohë, ky funksion ideologjik i letërsisë në Kosovë kishte rëndësi dhe luajti një rol të madh, joartistik gjithsesi, por utilitar dhe politik. Për shumë vështrues nga jashtë ky mund të ishte rol i shëmtuar i letërsisë, kurse për mua jo, sepse në Kosovë letërsia dha ndihmesën e saj për tejkalimin e situatës së pushtimit, për të krijuar pastaj kushtet për funksionimin normal, artistik në radhë të parë. Liberale)