Nga Sylë Ukshini
Ish-Ambasador i Kosovës në Shqipëri
Ambasadori më i mirë i kombit shqiptar në botë i të gjitha kohëve ka qenë dhe do të mbetet pa asnjë mëdyshje shkrimtari ynë me famë botërore, Ismail Kadare, i cili në një shkrim të bërë ekskluzivisht për gazetën e njohur franceze “Le Mond” qysh më 14 dhjetor 1999, do të shkruante se dhjetë vjet më parë, në një zyrë, që ishte vetëm katër metra larg zyrës së presidentit të Francës, pyetjes së tij “përse nuk fliste askush për shqiptarët e Kosovës, ndërkohë që atje ka nisur tmerri”, një mik i tij me sinqeritet i ishte përgjigjur: fatkeqësisht, Shqipëria nuk është modë.” Këtë parafrazim e bëra për të treguar se, na pëlqeu apo jo, tani më në modë nuk është më Kosova, por Serbia, e cila edhe pse është proruse dhe prokineze, në kancelaritë evropiane konsiderohet më e preferuar dhe për këtë ka shumë arsye politike, ekonomike, historike dhe kulturore.
Në këta 25 vjet, përkundër gabimeve dhe të kufizimeve tona të panumërta, kemi bërë po thuajse çdo gjë vetëm që të jemi të pavarur dhe vetëm që të jemi pjesë e BE-së.
Çfarë nuk kemi bërë që nga qershori i vitit 1999 kur në Kosovë u etablua prania ndërkombëtare ushtarako-civile. Mendoj se nuk ka një vend që ka bërë më shumë në 25 vjetët e fundit se çfarë i është kërkuar nga qendrat ndërkombëtare të vendosjes. Kosova dhe elita e saj politike ishin më të bindurat në rajon e ndoshta edhe në Evropë. Elitat politike për fat të keq, shpeshherë janë shikuar nga publiku vendor si servile dhe poshtëruara.
Na kanë kërkuar në procesin negociues të Vjenës më 2006-2007 të formohen dhjetë komuna serbe, madje disa më të vogla se katundet. E kemi bërë për t’u treguar gjëndëror dhe bashkëpunues. Na kanë kërkuar ta dekurajojmë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë – e kemi bërë me zell dhe përkushtim. Na kanë kërkuar zonat sigurisë përreth monumenteve kulturore dhe fetare serbe (me Planin e Ahtisaarit), me një përshkrim të qartë të hapësirës që u takon atyre dhe me një lloj sovraniteti të brendshëm, i cili nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë – e kemi bërë, edhe pse kjo ka qenë stigmatizuese për popullatën shumicë shqiptare të Kosovës. Na e kanë kërkuar vendet e rezervuara për komunitetin serb, që sipas nenit 144 të Kushtetutës së Kosovës, çdo ndryshim kushtetues nuk mund të bëhet pa miratimin e dy të tretave (2/3) të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës, e kemi bërë.
Na e kanë kërkuar që Kosovës t’i vendosim fusnotë, në mënyrë që Serbia të pajtohet për pjesëmarrjen tonë në organizatat rajonale, e kemi bërë edhe pse nuk na ka pëlqyer. Na kanë kërkuar që serbët në veri për 25 vjet me radhë të mos paguajnë energjinë elektrike, e kemi bërë edhe pse kemi qenë të varfër. Na kanë thënë se të lejojmë serbët të qarkullojnë pa targa, e kemi bërë edhe një qytetari shqiptar i kemi konfiskuar automjetin për një gjë të tillë.
Në fund, e kemi bërë edhe Tribunalin vetëm për shqiptarët e Kosovës, edhe pse me eufemizëm e quajmë Dhomat e Specializuara. E kemi bërë atë në kohën kur mijëra familje shqiptare nuk kanë gjetur drejtësinë për familjarët e tyre të vrarë dhe të rrëmbyer gjatë luftës së fundit.
Në Ohër na është kërkuar ta pranojmë Marrëveshjen/Aneksin e Ohrit (mars 2023), e pranuam edhe se ajo nuk ishte as gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese, as nuk i zgjidh të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, Serbia jo vetëm u tall me marrëveshjen, por testoi ndërkombëtarët duke na bërë agresion përmes njësive ushtarake dhe paramilitare të ndihmuara nga qeveria neo-milosheviqiane e Vuqiqit, një metodë e njohur e shtetit serb që nga fillimshekulli 20.
Dhe tani ka disa vjet që më askush në BE dhe në SHBA nuk flet më për njohje të ndërsjellë, kjo nënkupton se kanë hequr dorë nga kërkesa e dikurshme për “marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, me të cilën do të zgjidheshin të gjitha problemet e hapura mes palëve“. Në këtë mënyrë, është zhgënjyese por e vërtetë, dialogu i formatizuar në Rezolutën të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2010 ka dështuar në dy objektivat më madhore: Kosova nuk është bërë pjesë e sistemit ndërkombëtar, ndërsa Serbia nuk është evropianizuar.
Nëse për katërmbëdhjetë vite më radhë, Beogradi, edhe pasi mori goditjen juridike në GJND, deklaronte se “çështja e Kosovës” duhet “të zgjidhet me kompromis,” e cila “nuk mund të bëhet me detyrim, që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur” (Daçiq), tani ka filluar të përdoret njëzëri nga ndërkombëtarët, sipas të cilëve, “pa kompromis nuk ka normalizim.”
Por, kjo çështja e kompromiseve është shndërruar në një telenovelë pa mbarim. Sipas Aneksit të Ohrit, sapo ta mbyllim Asociacionin, në radhë na pret kompromisi tjetër i radhë, aranzhmanet e reja për Kishën. Ndoshta konstatimi më domethënës dhe lapidar për kompromiset e palës kosovare është ai i diplomatit austriak, Albert Rohan, bashkëhartues i Planit të Ahtisaarit, i cili disa vjet më parë pati deklaruar se kompromiset nga ana e palës kosovare janë bërë që nga vitit 2007, kur ne pranuam Planin Ahtisaari për hir të pavarësisë së Kosovës, duke, qartësuar se “ka munguar nga ana e Serbisë, e cila vazhdon të ketë qëndrim armiqësor ndaj Kosovës.”
Në këtë situatë është e paqartë se çfarë duhet të bëjmë akoma që të na trajtojnë mirë ndërkombëtarët? Nëse presin se një ditë Beogradi do të thotë: mjaft se tani jemi të kënaqur me koncesionet e shqiptarëve të Kosovës, kjo nuk ka për të ndodhur asnjëherë. Përkundrazi, kush e një historinë e rajonit, Serbia duke pasur gjithnjë prapa Rusinë si protektorë të idesë pansllaviste, ka ndjekur një agjendë të tillë në rajon duke përdorur si instrument agresioni bandat e armatosur dhe klerin fetar ndaj shtetit osman ashtu edhe atij austro-hungarez. Kjo është një traditë e cila tani është formatizuar brenda kuadratit të platformës politike të “botës serbe.”
Tani na kërkohet të jemi më të bindur ose më pragmatik
Shumëkush kishte pritur se mënjanimi i klasës politike me proveniencë të luftës, e cila sipas perceptimeve publike, të ndihmuara edhe nga heshtja e bashkësisë ndërkombëtare, pozicioni i ndërkombëtarëve do të ndryshonte thelbësisht ndaj Kosovës. Pritjet ishin të mëdha në katër anët. Por, brenda pak muajsh BE-ja i tregoi dhëmbët ndaj çdo veprimi të “njëanshëm” të Qeverisë së Kosovës. Nisi me targat, vazhdoi me dinarin serb, u përmbyllë me urën serbe, pak metra më larg vendit ku me 1903 kishte nisur sherri midis shqiptarëve dhe konsullit rus me agjendë serb, për shkak të përpjekjeve për shtrirjen e influencës austro-hungareze, osmane, ruse dhe serbe.
Duke e parë reagimin në kor të diplomatëve perëndimorë dhe të qendrave ndërkombëtare të vendosjes kundër veprimeve të Qeverisë Kurti në veri, madje edhe ndaj mbylljes së institucioneve ilegale të Serbisë së operojnë në territorin e Kosovës, të krijohet përshtypja sikur Kosova ka hyrë në një pat pozicion, nga i cili nuk mund të lëvizë pa miratimin e vendeve të QUINT-it dhe pa pëlqimin e Beogradit. Është i lexueshëm zotimi ndërkombëtar dhe vendosmëria e tyre që veriu i vendit të mos kontrollohet në asnjë mënyrë nga autoritetet e Kosovës, pasi një komuniteti të privilegjuar historik, prania e shtetit të Kosovës i duket padrejtësi ose kështu instruktohen nga Beogradi.
Loja që po ndodhë mbi urën e Ujëbardhit (Ibër) që nga qershori i vitit 1999, nuk është rastësi, por gjenezën e ka te negociata sekrete amerikano-ruse në Moskë, të cilat u përmbyllën më 18 qershor në Helsinki me ndërmjetësimin e Martti Ahtisaarit. Është e vërtetë se Rusia nuk ia doli të merrte një sektor të veçantë ushtarak në veri të Kosovës, me çka u evitua edhe ndarja faktike e Kosovës. Por, pjesën tjetër të marrëveshjen nuk e dimë, ndoshta nuk do ta dimë asnjëherë, por një gjë e dimë, Mitrovica edhe formalisht u nda me Planin e Ahtisaarit, ndërsa Asociacioni gjenezën e tij e ka tek raporti i ambasadorit Kai Eide. Ndoshta nuk është ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, por shumë gjëra lënë të kuptohet se një linjë e tillë e ndarjes nga brenda është përcaktuar në Marrëveshjen e Helsinkit të 18 qershorit 1999. Ndoshta edhe mund të mos bëhet fjalë për ndonjë kompromis në Helsinki, por vendosja e KFOR-it mbi urën e Mitrovicës dhe njëkohësisht tolerimi i kontrollimit të veriut nga segmente të sigurimit shtetëror serb që nga paslufta e deri më sot, në realitet përligji një realitet (kantonizim) për të cilin ka pasur një lloj mirëkuptimi të heshtur në qendrat ndërkombëtare të vendosjes. Pra, ura e Mitrovicës, as nuk paraqet dobësi dhe as mungesë të seriozitetit të Perëndimit, por është një qëndrim i formësuar e të cilin ose nuk na e thonë troç ose na e mbajnë të fshehur.
Për më tepër, mesazhet e ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë Kurti se veprimet e saj të “njëanshme”, si mbyllja e strukturave ilegale të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dëmtojnë seriozisht relacionet e Kosovës me partnerët ndërkombëtare, duhet parë shqetësim të madh nga gjithë elita politike kosovare, sepse nuk është fjala për të drejtat e serbëve lokalë, por për prezencë me prerogativave shtetërore të Serbisë brenda Kosovës. Ky diskurs ndërkombëtar legjitimon parimin serb të përkohshmërisë së çdo gjëje në Kosovë dhe njëkohësisht legjitimon propagandën agresive të Beogradit të vetviktimizimin e serbëve, të “krizës humanitare” si pasojë e suspendimit të dinarit serb, e që në fakt më shumë është përpjekje për ruajtjen e një simboli të pranisë të Serbisë në Kosovë.
Pra, nëse bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash partnerët tanë vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e zyrave postare serbe dhe mbylljen e komunave ilegale edhe në veri e kualifikojnë si “veprim i njëanshëm” (BE), apo e quajnë “veprim provokues” (O’Brien), kjo tregon se operimi i tyre për 25 vjet me radhë ka qenë me bekimin e tyre dhe jo me ndjeshmërinë e situatës apo me rrezikun e ndonjë konflikti me përmasa rajonale. Natyrisht, ky diskurs është një ogur i keq edhe për qeverinë re që do ta prodhojnë zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Për më tepër, me këtë qasje dhe me këtë formë të dialogut të Brukselit, ku kërkohen gjëra krejtësisht të paimagjinueshme, që tani duhet të jemi të jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitur kur një ditë ndërkombëtarët do të na thonë se pas tri dekadave janë krijuar rrethana që mbi bazën e Aneksit 2 pika 6 të Rezolutës 1244 janë pjekur kushtet që një numër i caktuar i personelit ushtarak dhe policor serb në Kosovë të ushtrojnë një prani pranë objekteve të trashëgimisë serbe.
Serbia dhe Rusia në vazhdimësi e kanë bërë të qartë se po punojnë vazhdojmë që të arrijnë “një zgjidhje për Kosovën bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”. Në anën tjetër, ne edhe mund të reagojmë, mund ta akuzojmë njëri-tjetrin edhe për tradhti kombëtare, por ndërkombëtarët janë kreativ, do na e përkujtojnë si zakonisht se mandati i KFOR-it është në përputhje me Rezolutën e 1244 dhe se nëpërmjet pikës 12 të Deklaratës së Pavarësisë (17 shkurt 2008), Kosova është zotuar se do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999).
Në fund të fundit, të gjithë e dimë se diplomacia dhe politikanë nuk nisen nga premisat morale, por gjeopolitike kur e trajtojnë një problem të caktuar dhe mbi të gjitha kur dëshirojnë të arrijnë balance rajonale. Nëse është kështu, dhe është kështu, në rend të parë duhet shmangur një diskurs konfrontuese nga i cili mund të dalim humbës dhe në shenjë ndëshkimi të legjitimohen kërkesat e Serbisë dhe miqve të saj për krijimin e një autonomie të serbëve në Kosovë, si hap kalimtar për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, për t’u pasur pastaj me një status të ri të privilegjuar për Kishën Ortodokse Serbe, që kalon përtej aranzhmaneve që i garanton Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit.
Për më tepër, në këtë situatë delikate klasa jonë politike në pozitë dhe opozitë duhet të demonstrojë një qasje me rezonë shtetëror, që nuk ndërlidhet me asnjë përfitim partiak të momentit, aq më pak zgjedhjet e ardhme nacionale.
Prandaj, kemi të drejtë të kërkojmë edhe qartësi nga qendrat e vendosjes, çfarë dëshirojnë deri fund nga ne, edhe sa kompromisi kërkohen nga ne. Ose ata që komunikojnë me partnerët ndërkombëtarë le të na e thonë të vërtetën, çfarë po duan nga ne, ngase dikush, njëra palë, ose po fsheh të vërtetën ose ne nuk po e lexojmë si duhet zhvillimet gjeopolitike. Më mirë një fund i keq sesa një e keqe pambarim!
Mungesa e qartësisë në shumë pyetje
– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na japë një afat kohor, 1, 2, 3 apo më shumë vjet për hapjen finale të urës në Ujëbardhë(Ibër);
– A duhet bashkësia të ofrojë një perspektivë dhe një plan se si duhet t’i qasemi veriut apo ajo po kërkon alibi për etablimin e autonomisë sa më të madhe për serbët;
– A duhet të qartësohet pse me Aneksin e Ohrit kërkohet hapja e Pakos së Ahtisaarit për çështjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe;
– A duhet Kosova ta ketë të qartë çfarë nënkupton kërkesa e ndërkombëtareve për kompromise të reja nga pala kosovare;
– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na thotë nëse asociacioni e funksionalizon shtetin e Kosovës apo e minon;
– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na tregojë nëse asociacioni nuk e respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, a duhet të zhbëhet apo duhet negociuar në Bruksel;
– A duhet të na qartësojë çfarë duhet bërë Kosova nëse asociacioni provon të legalizojë struktura policore si zgjatje e Serbisë;
– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare pse ekziston kjo vendosmëri për ndarje të brendshme të Kosovës sipas modelit të Bosnjës;
– A duhet të na e qartësojë BE-ja përse njohu pasaportat ilegale të Serbisë ku qytetet e Kosovës paraqiten si territor serb;
– A duhet të na e qartësojë bashkësia ndërkombëtare nëse edhe Kosova mund të lëshojë pasaporte ku Preshevë, Shkupi, apo Ulqini mund të paraqiten si territor i Republikës së Kosovës;
– A duhet të na e sqarojë bashkësia ndërkombëtare pse duhet të ketë Tribunal një-etnik vetëm për shqiptarët e Kosovës në kohën kur në Serbi qeverisë komplet një strukturë e politikanëve që dikur ishte në shërbim të aparatit represiv dhe të ideologjisë serbomadhe të Milosheviqit;
– A mund të na e sqarojë bashkësia ndërkombëtare si mund të armatoset pa kushte një shtet që ka bërë luftëra dhe krime të luftës të papara që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe kur për çdo ditë bënë përpjekje për ta revizionuar të kaluarën;
– A duhet të na e sqarojë bashkësia ndërkombëtare përse ajo që kërkohet për serbët në Kosovë nuk vlen edhe për shqiptarët e Luginës apo Maqedonisë;
– A duhet të na tregoj bashkësia ndërkombëtare a na konsideron shtet evropian apo na sheh vetëm si mbetje kulturore dhe fetare e Lindjes? Rasti i Bosnjës tregon shumë edhe për ne sesi Perëndimi përballë një shteti të njësuar mysliman në zemër të Evropës, ka lejuar “që më mirë të tolerojë një projekt të dhunshëm politik, por të krishterë, që ka sjellë luftëra e gjakderdhje, si kundërpeshë për krijimin në Evropë të entiteteve të forta myslimane” (Nevenka Tromp). Për “Transversalen e Gjelbërt” të Milosheviqit, pos që gjejmë materiale në arkivat e procesit gjyqësor të Tribunalit të Hagës, nga qershori i vitit 2020 në portalin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë gjejmë një shkrim (në rusisht, frëngjisht, kinezisht, spanjisht dhe portugalisht-braziliane) të përbashkët të Daçiqit dhe Lavrovit, gjejmë një aludim të tillë: “Prezenca e gjerë e elementëve kriminalë në Kosovë të lidhur me grupe terroriste të Lindjes së Mesme, kryesisht të Sirisë, si dhe bandave kriminale në Ballkan dhe pjesë të tjera të Evropës, do të thotë se rajoni me historinë e janë të pasur dhe trashëgiminë kulturore është duke u bërë një strehë e hajnave dhe kriminelëve të të gjitha llojeve,” thonë Daçiq dhe Lavrov.
Kosova është lodhur edhe nga lufta e gjatë e brendshme brutale dhe njëkohësisht nga presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar në Procesin e Brukselit, dhe jo rrallë ajo ka rënë pre e kurtheve të emisarëve të ndryshëm për defaktorizimin e elitave politike, me qëllim të lodhjes së Kosovës, dhe përmes strategjisë së humbjes së kohës të hapej shtegu për koncesione të reja për kompromise të reja në dialogun Kosovë-Serbi. Është pak e besueshme të jetë koincidencë që vendimi për rifillimin e dialogut të Brukselit të shpërthente në të njëjtën kohë me projektin konspirativ të senatorit zviceran Dick Marty për “trafikim të organeve”, i cili me kalimin e kohës u zhbë, por pasojat e saj mbetën – sot kemi një Tribunal për dënimin vetëm të shqiptarëve.
Pothuajse, të gjithë duartrokitën se drejtësia duhej bërë se “reja e zezë” mbi Kosovën duhet hequr, edhe pse Kosova, si asnjë vend tjetër në ish-Jugosllavi, ishte gjykuar në vazhdimësi nga gjykata e UNMIK-ut (OKB), EULEX-it (BE), Serbisë. Edhe sot, si dikur në vitet 1980-të, kur në pushtet erdhi Millosheviqi, ka filluar të afishohet teoria e viktimizimit të serbëve, si strategji për të na bindur se ky komunitet i privilegjuar historikisht, ka arsye për të jetuar të veçuar dhe jashtë sistemit shtetëror të Kosovës. Dhe beteja për këtë nuk ka filluar as sot dhe as dje, por nga 12 qershori i vitit 1999, kur Serbia bashkë me miqtë e saj kishin nisur një fushatë për të kthyer përmbys të vërtetën e asaj që kishte ndodhur në Kosovë në harkun kohor 1989-1999. Nga ky moment filloi revizionimi i të vërtetës dhe shumë organizata ndërkombëtare, në sinkroni me propagandën serbe, filluan të flasin për dëbimin e 250 mijë serbëve nga Kosova, në kohën që asnjëherë në Kosovë nuk kishte pas një shifër kaq të lartë të serbëve. Dhe paralelisht, siç thoshte Ismail Kadare (“Le Mond,” dhjetor 1999), filloi të përhapej me këmbëngulje narracioni “se një pjesë të shqiptarëve i paska vrarë UÇK-ja”. Dhe qëllimi ishte që opinioni publik ndërkombëtar të lodhej me Kosovën, me fjalë të tjera të relativizohej ajo çfarë kishin bërë serbët në Kosovë. Fatkeqësisht tani Kosova nuk është në modë!/ koha.net