Plani i Qeverisë së Kosovës që të vaksinojë mësimdhënësit në Kukës nuk mund të aplikohet në këtë periudhë meqë në Shqipëri janë shpenzuar të gjitha dozat me vaksinën AstraZeneca dhe Pfizer. Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se mësimdhënësit do të dërgohen për vaksinim në Shqipëri kur të ketë doza të reja të vaksinave.
Pasi miratuan masat e reja anti-covid, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media folën për sigurimin e vaksinave.
Kurti tha se situata rreth sigurimit të vaksinave për Kosovën është më delikate.
“Duhet ta kemi parasysh se Republika e Kosovës duke qenë se nuk njihet nga më pak shtete në botë, në mesin e së cilëve dy fuqitë e mëdha që janë edhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej siç po bëjnë disa shtete të tjera, por orientimi ynë është evropian dhe euroatlanik me shtetet të cilat na kanë njohur, andaj e kemi rezervën tonë e kemi skepticizmin tonë por njëkohësisht qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme që mund të na vinë prej shteteve mosnjohëse e jasht Evropës”, tha ai.
Në Kosovë deri më tani kanë arritur vetëm 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, si pjesë e programit COVAX.
Por ministri i Shëndetësisë tha se janë duke punuar në sigurimin sa më të shpejtë dhe në numër të madh të vaksinave.
Vitia tha se varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse është më shpërndarës, derisa theksoi që i prek moshat e reja.
Ai theksoi se gjendja aktuale në spitalet e Kosovës është e rëndë, derisa bëri thirrje për respektim të masave anti-covid.
“Brenda një kohe të shkurtë do të arrijmë të marrim konfimimin edhe për sigrimin e një sasie të konsiderueshme të këtyre vaksinave. Ndërkohë që sigurojmë vaksinat dueht të jemi të vetdijshëm se situata epidemiologjike dhe situate në teren nuk janë aspak mirë”, tha ai.
Ndërsa lidhur me komunikimin me Shqipërinë për të vaksinuar mësimdhënësit në Kukës, Vitia tha se kjo do të ndodhë kur të arrijnë diza të reja të vaksinave Pfizer apo AstraZeneca në Shqipëri, meqë të njëjtat janë shpenzuar.
“Kam kërkuar nga ministrja Manastirliu dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë që kjo të mundësohet edhe për vaksinimin e kategorive të tjera, me theks të veçantë për mësimdhënësit, mirëpo fatkeqësisht në ndërkohë numri i vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca janë hargjuar në Republikën e Shqipërisë dhe kanë ngelur vetëm vaksinat me prodhim nga Kina. Për arsye se në Republikën e Kosovës, ne edhe po të donim, na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte të cilat nuk janë të regjistruara në këtë situatë ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohen me vaksina të cilat ne nuk mund të garantojmë në fund të fundit për këto vaksina, duke mos qenë të regjistruara në Kosovë, pasi janë nga kompani që nuk janë të regjistruara, kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi”, tha Vitia.
Në këtë konferencë për media, ministri Vitia ka pranuar se rastet me koronavirus janë rritur si pasojë e fushatës zgjedhore të partive politike.
“Pjesa tjetër e qytetarëve me të drejtë kanë fajësuar fushatën elektorale për rritjen e rastit të infektimit, edhe kjo është e vërtetë, çfarëdo tubimi masiv është supër shpërndarës. Por duhet të kuptojmë se jeta jonë është dinamike dhe rrethanat në të cilat veprojmë shpesh herë diktohen edhe nga faktorë të paparashikuar. Që nga shpallja e pandemisë, mirë do të ishte që ne mos të ndërmerrnim asnjë veprim tjetër përtej menaxhimit të mirë të pandemisë për të cilin jam i sigurt se sikur të lejohej sot nuk do të ishim në gjendjen çfarë jemi”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot masat e reja anti-covid të cilat do të jenë në fuqi deri më 18 prill./rtk