Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të rihapur kufirin me Shqipërinë. Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, qytetarët të cilat hyjnë në Kosovë nuk do të vetëizolohen, por do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore në pikat kufitare.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është shfuqizuar vendimi i cili obligonte qytetarët që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe kanë kryer testin për COVID-19 jo më të vjetër se 4 ditë nuk ju nënshtrohen procedurave të vetizolimit.
“Që nga dita e hënë 8 qershor 2020 , propozoj që qytetarët që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetëizolimit shtëpiak 7 ditor. Ndërsa në vend të testimit të obliguar me COVID-19, për ata që hyjnë do të jetë masa e kontrollit me ekipet mjekësore të vendosura në pikat kufitare ”, tha ministri.
Ai ka shtuar se pas analizave të bëra, IKSHPK-ja ka rekomanduar lehtësim të masave penguese për qytetarët e Kosovës.
“Më lejoni të ju njoftoj që nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 05:00 deri në ora 21:00. Kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet”, u shpreh ai.
Pas ministrit të Shëndetësisë, ka qenë kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka njoftuar në faqen zyrtare në “Facebook” për masat që janë marrë në lidhje me lëvizjen me vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë.
“Nga nesër lejohet qarkullim i plotë, por me kujdes, si brenda ashtu edhe me Shqipërinë e vendet e tjera të rajonit. Në kuadër të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, Ministria e Shëndetësisë do të miratoj “Manualin për Mbrojtje nga Covid-19”. Do të rekrutojmë 200 specialistë shëndetësorë që do të mbikqyrin zbatimin e masave që dalin nga ky manual.
Rregullat e reja të vendosura nga ish-qeveria Kurti për qytetarët që kërkonin të hynin në Kosovë shkaktoi reagime të forta në Shqipëri.
Detyrimi i karantinës apo paraqitja e rezultatit të testimit të COVID-19 nuk u pritën mirë nga qytetarët e Shqipërisë, të cilët synonim që për arsye të ndryshme të udhëtonin drejt tokës kosovare.