Një korriku është afati që Serbia të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem. Zotimi për një gjë të tillë ishte pjesë e dakordimit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi, që u nënshkrua më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë në praninë e ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Marrëveshja ishte nënshkruar nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb tha të enjten se Serbia do të veprojë në “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me interesat e Serbisë dhe këto interesa kanë ndryshuar që kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës. Respektojmë miqësinë me Izraelin, por duke respektuar edhe veten. Ju nuk mund të na thoni – ne e kemi njohur pavarësinë në një pjesë të territorit tuaj dhe tash ju urdhëroni”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq ka ritheksuar se “pika më e rëndësishme e saj (Marrëveshjes së Washingtonit) është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar”.
Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe zotimi i Serbisë që ta vendos ambasadën e saj në Jerusalem.
Në fillim të muajit shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike dhe në mars Kosova hapi ambasadën në Jerusalem, duke u bërë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet. Bashkimi Evropian e vlerësoi për keqardhje vendimin e Kosovës i cili nxiti reagimin e autoritetit palestinez, disa vendeve të Ligës Arabe dhe të Turqisë e cila u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës “të heqin dorë nga ky hap, siç u tha, i papërgjegjshëm”.
Shtetet e Bashkuara javën e kaluar u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, që ishte pjesë e zotimeve. të të dyja palëve për një studim fizibiliteti, “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.
Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës, përfshirë edhe kryeqytetin. Liqeni është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Beogradi nuk e ka komentuar ende raportin, ndërsa kryeministri Kurti tha të mërkurën se mund të prodhohen analiza e studime por “është detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqe artificial i Kosovës”.
Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje që ishte ratifikuar atëbotë nga parlamenti krahinor i Kosovës dhe parlamenti i Jugosllavisë.
Serbia ngulë këmbë që ka trashëguar borxhet e ish Jugosllavisë që kanë të bëjnë me Kosovën dhe pretendon pronësinë mbi liqenin.
“Atë e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, tha kryeministri Kurti.
Shtetet e Bashkuara thanë se presin që Kosova dhe Serbia t’u përmbahen detyrimeve që morën përsipër në Washington.
“Zbatimi i marrëveshjes së Washingtonit krijon një bazë për marrëveshjet e ardhshme dhe ofron mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis palëve. Detyrimet e marra veçse sjellin përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me zbatimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 e cila është njohur nga mbi 100 vende të botës, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia./VOA