Në Kosovë po shënohet dita kombëtare e personave të zhdukur gjatë luftës, e cila është shpallur si e tillë në përkujtim të ngjarjeve të ditës së sotme të vitit 1999, kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe vranë afro 400 civilë shqiptarë. Edhe 21 vjet pas luftës ende mbetet i pandriçuar fati i një mijë e 620 personave.
Më 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe ndaluan rreth 400 shqiptarë. Edhe sot e kësaj dite, fati i një pjese të tyre mbetet i panjohur. Më mesin e tyre është edhe djali i vëllait të zonjës Sabrie Rexha e cila rrëfen për Zërin e Amerikës se ka humbur edhe gjashtë vëllezërit e saj në këtë ngjarje.
“Unë jam motra e gjashtë vëllezërve këtu që i kanë vrarë në këtë vend, më vështirë për neve nuk ka se sa të presim vdekjen e tyre, por duhet të jetojmë. Fëmijët i kanë lënë të vegjël dhe me halle e telashe”, thotë ajo.
Zonja Rexha kujton ditën kur forcat serbe morën familjarët e saj.
“Me ta kam qenë sepse e kemi pasur një rrugë të gjithë. Disa të fshatit Rracaj e disa të fshatit Dobrosh, të gjithë kemi ardhur bashkë këndej nën përcjelljen e ushtrisë serbe. Na kanë ndalur këtu në Mejë dhe burrat i kanë vendosur në mal e neve na kanë lënë në rrugë”, thotë ajo.
Dhimbja më e madhe për të sot është mungesa e informacioneve për djalin e vëllait të saj.
“Këtu të gjithë janë marrë por ai ka humbur dhe nuk është gjetur ende, përveç të gjithëve është ndarë ai, se si ka qenë puna vetëm Zoti e dinë. Pa ngrënë nuk rrihet, pa u veshur nuk rrihet, pa bërë diçka nuk rrihet, por çkado që bëjmë mërzia nuk hiqet aspak”, thotë ajo.
Çdo vit, me 27 prill, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, mbahet tubim përkujtimor në nderim të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Serbia si përgjegjëse për këto krime, nuk po bashkëpunon me institucionet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Ne si institucione duhet të bëhemi bashkë edhe me familjarët që të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i bërë më shumë trysni Serbisë, meqenëse me sa kam vërejtur unë se si ka shkuar deri tash procesi i negociatave me Serbinë, nuk kam fare shpresë që Serbia do ta hap territorin e saj për hulumtimin dhe gjetjen e personave të zhdukur në luftë”, tha ai.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.
Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 620 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, pjesa më e madhe ë të cilëve janë shqiptarë.