Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, zgjedhin sot përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit, nga i cili do të zgjidhet më pas edhe qeveria e re e Kosovës me mandat katërvjeçar.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë njoftuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën e paraparë, me përjashtim të disa qendrave të vogla që ka pasur vonesa të vogla.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.
I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t’i faturohet Kosovës”, tha Daka.
DnV: Evidentohen parregullsitë e para zgjedhore
Organizatat vendore që monitorojnë procesin zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, kanë identifikuar parregullsitë e këtij procesi në orët e para të votimeve.
Ismet Kryeziu, nga Demokracia në Veprim, në një konferencë për media ka thënë se në 2.6 për qind të qendrave të votimit ka pasur vonesa në hapjen e tyre më kohë.
“Të gjitha këto vonesa, kryesisht kanë ndodhur për shkak të komisionerëve, për shkak të vonesës në shpërndarjen e materialit zgjedhor. Gjithashtu një vendvotim ende nuk është hapur për shkak se një komisioner është tërhequr në momentin e fundit”
Po ashtu, Kryeziu thotë se në qendra të votimit është vërejtur edhe prania e materialit propagandues të subjekteve politike.
Por, sot në 7 për qind të qendrave të Kosovës, vërehet material propagandues i subjekteve politike të cilat nuk i kanë larguar nga afërsia e qendrave të votimit. Komunat ku më se shumti janë vërejtur këto parregullsi, janë komuna e Gjilanit, e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit”, tha Kryeziu.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përmes rrjetit social Twitter ka bërë thirrje për dalje në votime.
“Në Kosovë si dhe në Amerikë, çdo votë numërohet. Secili zë ka rëndësi. Pa marrë parasysh pikëpamjet tuaja, këdo që mbështetni – më 6 tetor, dilni të votoni. Për veten, shtetin dhe të ardhmen”, tha Kosnett.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova”, tha Thaçi.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave, 20 ulëse të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet joserbe. Nga 25 subjektet garuese, për këto ulëse në garë janë gjithsej 1068 kandidatë.
Në listën përfundimtare, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve është 1,937.868, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, përkatësisht 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se sa numri i votuesve.
Votimet, sipas KQZ-së do të mbahen në 895 qendra votimi me 2,547 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.
KQZ-ja përveç që ka hapur vendvotime për votuesit, po u mundëson votim edhe disa kategorive tjera të shoqërisë përmes ekipeve mobile.
Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve.
Me ftesë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkimi Evropian ka dërguar një mision për vëzhgim të zgjedhjeve (EOM) në Kosovë.
Shefja e këtij misioni, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë nga viti 2013.
Siç është bërë e ditur, për monitorimin e këtyre zgjedhjeve janë angazhuar rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian të cilët do të jenë të shpërndarë në qendrat të votimit në komuna të ndryshme.
Procesi zgjedhor po ashtu po monitorohet edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Demokracia në Veprim është një rrjet prej 10 organizatave anëtare dhe 40 organizatave partnere të cilat po monitorojnë procesin e zgjedhjeve, të cilët kanë monitoruar edhe fushatën zgjedhor.
Demokracia në Veprim promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, edukimit të votuesve dhe avokimit për reformë zgjedhore.
Demokracia në Veprim promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, edukimit të votuesve dhe avokimit për reformë zgjedhore.
Sot kjo organizatë ka të angazhuar 2700 vëzhgues, 150 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe 100 ekipe mobile për të përcjellur procesin e votimit.
Ndërkohë, edhe strukturat e rendit, thonë se janë mobilizuar për të siguruar mbarëvatje të procesit zgjedhor.
“Policia e Kosovës ka angazhuar një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces”, kanë thënë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.
Policia, prokuroria si dhe gjykatat, sipas përfaqësuesve të tyre, po përcjellin nga afër procesin dhe janë të gatshme për të reaguar dhe trajtuar rastet për të cilat duhet të merren këto organe.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që ishte ftuar nga Dhomat e Posaçme (Gjykata Speciale) me Seli në Hagë që të intervistohej në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor./rel