Ndonëse Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat me Serbinë, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë në Bruksel, zbatimi I kesaj mase ka eshte pritur me protesta nga shoferet, duke rikthyer edhe njehere tensionet ne veri te vendit.
Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të automjeteve me Serbinë duke mos lejuar nga sot veturat me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës. Deri tani, Serbia nuk ka lejuar veturat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por u ka vendosur targa të përkohshme. Të njëjtën gjë po e bën nga sot edhe Kosova, ku autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. Vendosja e reciprocitet në targa të veturave me Serbinë, nxiti tensione në veri të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ku qindra qytetarë serbë bllokuan rrugët. Forca të shumta policore të Kosovës u dislokuan në veri dhe zhbllokuan rrugët. Nuk njoftohet për ndonjë incident.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cënojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë ndonjë destabilizim”.
“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cënojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshjeje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti në një seancë të parlamentit
“15 shtatori vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht do të duhej të mbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat përveç atyre RKS. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave KS, sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfisikimin e të gjitha tabelave ilegale brenda Republikës së Kosovës, sikurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë poseduesit e makinave me tabela jo valide, ato po konfiskohen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme. Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur ne vitin 2011 që u finalizua në Bruksel më 2016. Nga ajo kohë, Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe procesin për lehtësimin e regjistrimit të automjeteve. Është kompletuar edhe infrastruktura administrative për lëshimin e dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se shtimi i forcave policore në veri të vendit, është në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve.
“Me këtë rast, MPB, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, shkroi ministri Sveçla. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, nga ana e tij, njoftoi se për nesër ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës së krijuar të vendosjes së reciprocitetit.
Lista Srpska: Provokime të Prishtinës
Edhe zyrtarë nga lista “Srpska”, që është pjesë e institucioneve të Kosovës reaguan për vendosjen e reciprocitetit në targa me Serbinë. Igor Simiç nga Lista Serbe u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mos bien pre e, siç thotë, “provokimeve të Prishtinës’.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës, ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ia konfiskuar targat nga Serbia”, deklaroi Simiq.
Vuçiç thirri një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit
Presidenti i Serbisë, Alesandar Vučić, caktoi një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të martën në orën 10 të mëngjesit.
Tema kryesore e sesionit do të jenë ngjarjet në Kosovë dhe Metohi, raporton media serbe “Novosti”.
Siç thuhet, analiza e sulmeve të fundit ndaj serbëve në krahinën tonë jugore do të jetë në tryezë, si dhe vendimi i fundit për heqjen e targave nga makinat serbe me të cilat qeveria e Albin Kurtit e solli Kosovën dhe Metohinë në prag të konflikteve të reja.
Gjithashtu, do të diskutohet për pengimin e Prishtinës për të zbatuar Brukselin dhe marrëveshjen nga viti 2011, domethënë zbatimin e këtyre akteve vetëm në pjesën që u përshtatet shqiptarëve. Sipas informacioneve jozyrtare, pritet që tërheqja e Beogradit dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të merren parasysh, sepse pala e Prishtinës praktikisht nuk ka përmbushur asnjë dispozitë apo detyrim.
“Novosti” pohon se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç, si dhe krerët e të gjitha njësive speciale të forcave tona të armatosura ishin të ftuar në seancën e nesërme. Si kujtesë, njësitë e ROSU, të armatosura dhe me automjete të blinduara, erdhën në vendkalimet administrative të Jarinjes dhe Bërnjakut.
BE: Të ulen tensionet në veri të Kosovës
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka reaguar lidhur me vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia në Kosovë.
Në një konferencë për media, Stano deklaroi se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe tha se dialogu duhet shfrytëzuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.
“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, theksoi ai, transmeton lajmi.net.
Stano shtoi gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.
“Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë ka arritur në Beograd dhe në takimin me presidentin Vuçiq, këtë pasdite, do ta adresojë situatën dhe pas disa orëve ai do të flasë edhe me lidershipin politik të Kosovës për të adresuar këtë çështje”, shtoi ai.