Kosova po mban sot raundin e dytë të zgjedhjeve komunale në pothuajse dy të tretat e vendit.
Në 21 komuna po votohet për postet e kryetarëve, ndërsa 17 të tjera zgjodhën kryetarët e tyre në raundin e parë, që u mbajt më 17 tetor.
Rreth 1 milion e 270 mijë qytetarë mund të votojnë në 1 mijë e 638 vendvotime.
Mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare do të ndjekin procesin e votimeve.
Udhëheqësi i Misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve, Lukas Mandl, tha se dita e sotme është e gjitha për demokracinë dhe për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që demokracia funksionin vazhdimisht në Kosovë.
“Me të vërtetë dua të inkurajoj çdo qytetar në këto 21 komuna ku po mbahen zgjedhjet sot, të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar, të shkojnë në vendvotime dhe të votojnë për cilindo kandidat, por të kontribuojnë për demokracinë”, tha zoti Mandl.
I ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të mos e humbin mundësinë për të votuar.
“Mos e humbisni mundësinë për të formësuar përparësitë e komunës dhe vendimmarrjen e qeverisjes vendore”, shkroi ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë në mënyrë masive të drejtën e votës.
“Shpresoj vërtetë që sikur edhe në të kaluarën dhe sidomos zgjedhjet që u mbajtën me 17 tetor, të kemi një pjesëmarrje aktive të qytetarëve, që të kemi një proces pa asnjë incident dhe po ashtu, që ky proces të konsiderohet demokratik dhe i lirë ashtu siç ndodhi pra një muaji”, tha presidentja Osmani.
Edhe kryetarët e partive politike u bënë thirrje qytetarëve që të dalin në votime në numër sa më të madh.
“Komuna është shumë e rëndësishme. Në njërën anë ajo është publika e lagjes dhe në anën tjetër është gjithashtu edhe qeliza e Republikës. Andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë, ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për vetën e tyre nëpërmjet udhëheqësve të cilët do t’i zgjedhin sot”, tha kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër i vendit.
“Qytetarët duhet të dalin në mënyrën sa më masive që të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë t’i udhëheqin katër vitet e ardhshme. Meqenëse edhe kam thënë edhe gjatë fushatës, zgjedhjet janë për qytetarët dhe jo për politikanët, andaj është shumë e rëndësishme që të kemi një votim dhe pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në mënyrë që edhe mandatet që do t’i fitojnë kryetarët e komunave të jenë mandate të cilat i kanë parasysh dhe i kanë kërkesat, nevojat e qytetarëve dhe familjeve të tyre”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Sot është ditë e veçantë, në radhë të parë për Kosovën, është ditë e demokracisë, ditë e festës, është ditë ku vendimmarrja kalon te qytetarët tanë aty ku e ka vendin gjithmonë”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Në raundin e parë, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë, por është në balotazh në 12 komuna, përfshirë edhe Prishtinën, që vlerësohet si beteja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Kandidatët për kryetarë të Prishtinës, Arben Vitia nga lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, bënë thirrje po ashtu për pjesëmarrje sa më të gjerë në votime.
“Dita e zgjedhjeve është një ditë thelbësore për demokracinë edhe për shtetin tonë. Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë andaj është shumë e rëndësishme që secili të marrin pjesë në këtë proces të votimit, prandaj bëj ftesë që masivisht të gjithë bashkëqytetarët të dalin në këto zgjedhje dhe ta forcojnë demokracinë dhe të japim shembull të demokracisë ashtu siç kemi dhënë në këto vite të kaluara”, tha Arben Vitia.
“Kohërat e mira, të bukura për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë, prandaj i ftoj të gjithë qytetarët që të dalin, të votojnë, të shfrytëzojnë këtë rast për transformimin e bukur e të merituar të qytetit tonë për të gjithë”, tha Përparim Rama.