Në kazermën “Adem Jashari” FSK sot mban ceremoninë ushtarake për nder të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.
Ky aktivitet mbahet nën organizimin e Qeverisë së Kosovës.
“Epopeja e UÇK-së mbahet më 5,6 dhe 7 mars për nder të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, në vitin 1998 në Prekaz të Skënderajt.
Duke qenë se ky përvjetor për herë të parë shënohet me ushtrinë e Kosovës, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ka shprehur dëshirën që ushtria e Kosovës të mbrojë territorin e saj ashtu siç e mbrojti UÇK-ja.
Jashari: Ushtria e Kosovës të mbrojë territorin qysh e mbrojti UÇK-ja
“Sot jemi bashkuar këtu me 5 mars para ushtrisë më të re të kombit tonë shqiptar, Ushtrisë së Kosovës. Dëshiroja t’ju përshëndes të gjithëve këtu dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ushtrisë së Kosovës i dëshiroj shëndet, lumturi që gjithmonë të jenë të gatshëm të mbrojnë territorin e vendit tonë qysh e mbrojti Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dhe nder të gjithë atyre që kanë ra më herët dhe më vonë, duke falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet mike që na kanë ndihmuar dhe besoj që prapë kanë me na ndihmuar deri në fund që t’i zgjedhim problemet, të cilat i kemi përpara”, u shpreh ai.
***
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke kujtuar Epopenë e UÇK-së tha se në marsin e vitit 1998 në mes të Evropës u shuar një familje e tërë, por u zgjua bota.
Duke folur në ceremoninë ushtarake që FSK-ja ka organizuar për nder të Epopesë, Haradinaj tha se të shërbesh në FSK është nder dhe privilegj.
Sipas Haradinaj kjo ushtri vjen në paqe dhe nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës as në jug as në veri.
“Në partneritet me aleatët tanë do ta ndërtojmë vendin që e deshën çlirimtarët”, ka thënë Haradinaj.
***
Presidenti i Kosovës në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, ka thënë se me nderimet më të larta shtetërore sot kujtohet sakrifica e pashembullt e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
Kjo sakrificë sublime, sipas tij, bëri kthesë të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.
“Bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptarë. Sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës. Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri”, tha presidenti.
Presidenti i Kosovës në fjalën e tij nw ceremonisw ushtarake tw FSK-sw pwr nder tw Epopesw sw UÇK-sw ka kujtuar spastrimin etnik të përmasave të gjenocidit nga Serbia.
“Kujtojmë 13.500 civil shqiptarë të vrar, 400 masakra kundër shqiptareve, 20.000 gra te dhunuara shqiptare”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, në këtë 21 vjetor, për herë të parë Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare po shënohet me Ushtrinë e Kosovës, të njohur edhe ndërkombëtarisht, si forcë moderne, profesionale dhe multietnike.
Ai ka thënë se ecja e Kosovës përpara është e pandalshme, derisa po konsolidohemi në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë.
“Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigand. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë. Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-së e Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do ti forcojmë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidenti.