Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, shënuan ndryshim të madh në skenën politike. Pas 12 vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës do të kalojë në opozitë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me mbi 95 për qind të votave të numëruara, lëvizja Vetëvendosje është në epërsi me 25.81 për qind të votave e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.07 për qind, Partia Demokratike e Kosovës me 21.17 për qind dhe koalicioni AAK-PSD me 11.64 për qind.
Lëvizja Vetëvendosje, në mesnatë kremtoi në qendër të Prishtinës, duke shpallur fitoren.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se po hapet një epokë e re për Kosovën ndërsa paralajmëroi hapjen e negociatave për koalicion qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai vlerësoi fushatën e kandidates së Lidhjes Demokratike për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani duke theksuar se “me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra që të angazhohen për politikë, drejtësi e ekonomi. Dua që me Vjosën të bashkëpunoj edhe në të ardhmen”, tha ai.
“Qysh nesër do të vendosi kontaktet me Lidhjen Demokratike të Kosovës në mënyrë që me subjektin që ishim në opozitë ta kurorëzojmë ndryshimin ashtu që të bëhemi qeveri. Kur opozita bëhet qeveri atëherë kurorëzohet ndryshimi ndërkohë që ndryshimi politik tashmë ka ndodhur dhe mbanë datën e 6 tetorit 2019”, tha zoti Kurti
Zoti Kurti tha se do të bashkëpunojë ngushtë me faktorët ndërkombëtar të cilët e njohin pavarësinë e Kosovës, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe e vende të tjera.
“Do të jem partner me partnerët dhe aleat me aleatët, sepse shteti jonë ka nevojë për miq, për përkrahje e për ndihmë”, tha zoti Kurti