Në seancën e Kuvendit, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme ta pranojë Asociacionin, sipas marrëveshjes së vitit 2013. Megjithatë, ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe që paraprakisht të shuhen strukturat ilegale, dhe se një Asociacion I tillë, të krijohet pas njohjes reciproke, raporton RTK
Ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, nuk mund të jetë monoetnik, të ndërrojë emrin, të mos mundet të bartë asnjë pushtet publik dhe ekzekutiv dhe t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave.
Për këtë arsye, ai paraqiti gjashtë pika në lidhje me këtë cështje, e që sipas tij, duhet të jenë:
1. Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se opozita ka dëshirë që të themelohet “Zajednica” por që sipas tij, kjo nuk mund të bëhet.