Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë kërkesë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të rekomandohen emrat të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe, që kanë dhënë dorëheqje.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe, së bashku me zyrtarët e tjerë serbë në institucionet në veri të Kosovës, dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe.
“Duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej pesë ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas procedurave, deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me emrat e radhës në listën për deputetë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Më 7 nëntor, kur deputetët e Listës Serbe dorëzuan dorëheqjet, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nuk rrezikohet puna e këtij institucioni.
“Unë do t’i drejtohem presidentes [të Kosovës, Vjosa Osmani], e pastaj procedurat tjera thonë që presidenca i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e pastaj KQZ i përgjigjet me propozimet për deputetë që vijnë nga e njëjta listë. Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa t’i plotësojmë vendet në Kuvend nga pakica serbe”, tha Konjufca.
Por, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, plotësimi i këtyre vendeve në Kuvend mbetet diskutabil, në qoftë se përfaqësuesit tjerë të Listës Serbe nuk do të merrnin mandatet e deputetëve.
“Në atë situatë do të futeshim në një krizë, në kuptimin kushtetues, sepse nuk është e qartë se me kë mund të zëvendësohen deputetët e tjerë, për shkak se dy partitë tjera të komunitet serb kanë së bashku vetëm tetë kandidatë për deputetë”, ka thënë Cakolli për Radion Evropa e Lirë./REL