Presidentja Vjosa Osmani në Akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut ka thënë se në Reçak, 26 vjet më parë u ndeshën njerëzorja dhe mizorja.
“Në një ditë të zymtë të janarit 99-të 45 banorë të Reçakut ndër të cilët burra, gra e të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur kështu fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet vetëm më këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë”, ka thënë Osmani
Sipas saj, pamjet e asaj masakre tronditën botën dhe prekën ndërgjegjen ndërkombëtare e mobilizuan diplomacinë, krejt kjo në saje të mikut tonë të madh ambasadorit William Walker i cili me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë.
“Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij. Mizoritë e paimagjinueshme të cilat regjimi gjenocidal serb i kreu mbi popullsinë e pa mbrojtur shqiptare këtu në Reçak dhe ku do në Kosovë. Sot ambasadori Walker i cili është në mesin tonë mbetet një simbol i ndërgjegjes njerëzore dhe i drejtësisë ndërkombëtare, ndaj edhe kisha nderin që në tetor të viti të kaluar ta dekoroja atë me medaljen presidenciale të lirisë në emër të popullit të Republikës së sonë. Fjalët e thëna me vendosmërinë nga ambasadori Walker, tronditën opinion publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm”, ka theksuar presidentja.
Sipas saj, kjo hapi edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s e cila bashkë me luftën çlirimtare të bijve dhe bijave të Kosovës, vajzave dhe djemve të ushtrisë sonë çlirimtare e bënë Kosovën të lirë.
Kurti kërkon dënimin e vrasësve
Nբ këtë akademi, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se varret janë në tokë, vrragët në trup e në shpirt, kurse vrasësit ende në liri në Serbi. Sipas tij , ‘krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve qoftë edhe në mungesë’.
“Jemi në Reçak për të nderuar kujtimin për 45 civilët e pafajshëm e të pa armatosur të vrarë si dhe për të ripërtërirë zotimin tonë për të mos harruar kurrë masakrën e 15 janarit 1999”, ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se ambasadorit Wiliam Walker i jemi përjetësisht mirënjohës për humanizmin dhe kontributin e tij gjatë kohës më të vështirë për popullin tonë.
“Deklaratat e zotit Walker ishin denoncime zyrtare në emër të komisionit verifikues të OSCE-së ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptove civil në Kosovë. Këto raportime ekspozuan brutalitetin që po përballonte Kosova dhe ndryshuan diskursin ndërkombëtar ndaj luftës në vendin tonë”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka thënë se qeveria e Kosovës është krenare që e ka mundësuar botimin e librit të ambasadorit Walker me dëshmi të fuqishme dhe prekëse mbi tmerrin e masakrës së Reçakut.
Ky libër, sipas tij, është edhe një urë që lidh brezat përmes kujtesës historike, është trashëgimi për brezat e rinj që të njohin luftën së cilës i mbijetuam dhe plagët që ajo na i la pas.
“Përtej së qenit një dokument historik është edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe për drejtësi. Sot përkujtojmë qëndresën e të gjitha familjeve të Reçakut e anë e kënd Kosovës që dhanë më të dashurit për lirin e vendit”, ka theksuar ai.
“Familjarët dhe institucionet e Kosovës bashkë i nderojmë jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Milosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore jo pak prej të cilave janë ende në pushtet në serbi. Republika jonë dhe populli ynë është i vendosur e vërteta mos të harrohet kurrë e të mos deformohet asnjëherë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballën me drejtësinë. Bashkë angazhohemi që historia e Kosovës dhe liria jonë të jenë shembull i forcës së popullit për të triumfuar mbi padrejtësinë. I përjetshëm qoftë kujtimi për secilën jetë të dhënë në rrugën tonë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit të saj. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha Kurti.
Walker: Reçaku për mua përfaqëson diçka shumë të rëndësishme
Ambasadori William Walker ka thënë se sot është më të kujtesa e asaj se çka ka ndodhur para 26 viteve.
“Unë thjesht i tregova botës se çka pashë dhe kush është përgjegjës për atë se çka ka ndodh aty”, tha ai.
Ai kërkoi falje që libri i tij për Reçakun ka dalë 25 vite më vonë, por u shpreh i kënaqur që më në fund ky libër u mundësua dhe që kryeministri dhe presidentja i kanë treguar që ky libër do të jetë një vlerë sa i përket rinisë dhe popullatës së Kosovës.
Walker u shpreh se për të, Reçaku përfaqëson diçka shumë të rëndësishme. Sipas tij, është e ardhmja e Republikës së Kosovës. Ai u shpreh shumë krenar që ka qenë pjesë e stories së Kosovës.
Adem Ramadani, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari i fshatit, ka theksuar se Reçaku nuk është vetëm e kaluara.
“Është edhe e sotmja jonë dhe do të mbetet edhe e ardhmja jonë e lavdishme do të reflektojë në kujtesën tonë krimet brutale dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar në mënyrë që një krim i tillë të mos harrohet dhe të mos përsëritet më askund. Ne do të qëndrojmë të fuqishëm dhe do të mburremi për qëllimin e flijimit dhe qëndresës heroike përballë hordhive të etura për shuarjen e familjeve tona në trojet stërgjyshore”, ka thënë ai.
Nis Akademia përkujtimore për Masakrën e Reçakut
Në Shtime ka nisur Akademia përkujtimore për të kujtuar viktimat e maskarës së Reçakut. Në këtë akademi po marrin pjesë edhe krerët e shtetit.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.
/RTK