Një vit më parë parlamenti i Kosovës, miratoi ligjet që i hapin rrugë shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, një proces ky që pritet të zgjasë rreth dhjetë vjet.
Komandanti i kësaj force, gjeneral Rrahman Rama, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se procesi i shndërrimit në ushtri është në rrugë të mirë.
“Ne kemi një plan gjithëpërfshirës që e quajmë ne, që e kemi ndërtuar bashkë me partnerët tanë dhe e kemi respektuar atë plan. Kryesisht ky viti i parë ka qenë më shumë ndryshime administrative pra të gjitha rregulloret, procedura standarde operative, udhëzuesit. Planin që e kemi pasur e kemi realizuar dhe tejkaluar, i kemi ndryshuar edhe flamujt e njësive por edhe shenjat e njësive dhe gradat”, tha ai.
Vendimi për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe pa ndryshime kushtetuese, bëri që reagimet te jenë të ndryshme edhe te mekanizmat ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte paralajmëruar se do të rishqyrtohet shkalla e angazhimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Por zoti Rama thotë se marrëdhëniet me NATO-on, anëtarësimin në të cilën Kosova e aspirin, nuk janë dëmtuar…
”Çka mund të them pra në kuptimin bilateral ne vetëm e kemi rritur bashkëpunimin me vendet tona partnere dhe ne do të vazhdojmë. NATO-ja sa është organizatë ushtarake është edhe politike, unë nuk dua të flas në aspektin politik por në aspektin ushtarak ne jemi duke punuar dhe gjithçka që kemi ndërtuar e kemi bërë mbi bazën e standardeve të NATO-s”, thotë ai.
Miratimi i ligjeve për ushtrinë e Kosovws kishte nxitur zemërim në Beograd, zyrtarët e të cilit kanë ushtruar trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës.
“Fatkeqësisht presionet që kanë ardhur nga Serbia kanë prekur jo vetëm pjesëtarët personalisht por edhe familjet e tyre, ta zëmë ndalja nëpër kufi që ende vazhdon dhe është njëfarë presioni sistematik që ndodhë”, thotë ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht numëron rreth katër mijë ushtarë aktiv dhe rreth dy mijë e 500 rezervë. Fatbardha Ferati, është ushtare specialiste në regjimentin e tretë në kazermën “Minatori” në pjesë jugore te Mitrovicës.
“Dëshira të jem pjesë e forcës ka qenë e kamotshme për shkak që e kemi edhe si një lloj tradite familjare meqë edhe babai im ka qenë në uniformë. Detyra ime në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka të bëjë me komunikim, pra jam operatore në regjimentin e tretë në Mitrovicë. Realizoj dhe kompletoj pajisjet e komunikimit për ushtrime të ndryshme që i kemi ne si regjiment. Punë sfiduese është por pavarësisht vështirësive që i kemi, ditën tjetër kur e vesh uniformën është ndjenjë krenarie që nuk mund ta përshkruash”, thotë ajo.
Kushtrim Abazi, po ashtu pjesë e këtij regjimenti thotë se mënyra më e mirë për të festuar dhjetëvjetorin e tij si pjesë e Forcës së Sigurisë është duke parë shndërrimin e saj në ushtri.
“Puna ime tash si udhëheqës i ekipit është të merrem me përgatitjen fizike, profesionale por edhe me kujdesin për mirëqenien profesionale të ushtarëve. Gjithë angazhimi im për dhjetë vite, një dekadë sa kam shërbyer këtu ka qenë me qëllim, mund e sakrifica për të arritur në këtë pikë. Pas miratimit të ligjeve nga parlamenti i Kosovës normal që motivi është më i madh, angazhimet më të mëdha por puna më e lehtë sepse detyrat janë më specifike dhe është privilegj të shërbesh në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që ka mision mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës pa dallim”, thotë ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të te cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Shndërrimi në ushtri ishte parë të bëhej me ndryshime kushtetuese, por ato u pamundësuan për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.