Krerë të institucioneve të larta në Kosovë kanë uruar festën e Fitër Bajramit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mesazhin e saj, ka theksuar se kjo festë e cila shënon përfundimin e muajit të Ramazanit karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor.
Ajo uroi që ky Bajram të kalojë në frymën e solidaritetit, afërsisë dhe zemërgjerësisë, “të cilën populli ynë e kultivon ndër shekuj”.
“E kalofshi këtë festë me të afërmit tuaj në paqe e harmoni dhe i ndafshi të mirat me ta, me miqtë dhe fqinjët tuaj. Frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë, e posaçërisht në festat si kjo, kur duhet t`ua zgjasim dorën njerëzve në nevojë. Kjo festë është, po ashtu mundësi e mirë për forcimin e mirëkuptimit, afërsisë ndërnjerëzore me dëshirën e përbashkët për zhvillimin e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Me fat Fitër Bajrami!”, thuhet në mesazhin e presidentes së Kosovës.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Fitër Bajrami erdhi pas një muaji agjërimi, vetëpërmbajtjeje dhe sakrifice.
Kurti i uroi besimtarët muslimanë me urimin dhe shpresën që agjërimi dhe lutjet e tyre të jenë pranuar gjatë Ramazanit.
“Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin”, shkroi Kurti.
Mijëra besimtarë sot u bënë pjesë e namazit të Fitër Bajramit në të gjitha xhamitë e Kosovës. Mesazhi kryesor i Bajramit erdhi nga myftiu Naim Tërnava në Xhaminë e Madhe të Prishtinës.