Vendosja e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importin e produkteve të brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ka rritur importin e këtyre produkteve nga vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse është kohë e shkurtë që të ketë lëvizje të mëdha, vërehet një rritje e lehtë e importit të këtyre brendeve të huaja, të cilat prodhohen në vendet tjera fqinje.
“Është shumë herët të vërehet ndonjë rritje e madhe, pasi që kompanitë e mëdha kanë produkte të tilla në stoqet e tyre, po normalisht që vërehet një rritje e lehtë e importit nga vendet fqinje. Me kohë, këto brende do të zëvendësohen, pasi për shembull, një produkt i një brendi të huaj ka prodhimtari në gjithë Ballkanin dhe nuk është ndonjë problem që të zëvendësohet”, thekson Stavileci.
Stavileci shton se që nga vendosja e taksës 100 për qind për importin e produkteve të brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ka pasur disa hyrje, por ato kanë qenë të lëndës së parë dhe jo të produkteve finale.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të viti të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Derisa, më 28 dhjetor Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, thotë se ka filluar të rritet prodhimi pas vendosjes së taksave doganore.
“Ka ndodhur një rritje dhe kjo rritje është vërejtur gjatë muajit dhjetor (të vitit 2018). Gjatë muajit dhjetor kemi pasur një rritje për 30 për qind më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2017. Sa i përket vendosjes së taksës edhe për produktet me brende të huaja, kjo ende nuk është vërejtur, pasi që është kohë e shkurt dhe efekti mund të shihet pak më vonë”, thekson Palushi.
Ai shton se nga taksa 100 për qind për brendet e ndërkombëtare, të cilat prodhohen në Serbi nuk do të ketë mungesë të atyre produkteve, pasi që disa produkte të brendeve të huaja që janë prodhuar në Serbi, të njëjta prodhohet edhe në Tiranë edhe në Shkup.
“Këto produkte të brendeve ndërkombëtare që të zëvendësohen me produkte vendore nuk është e arritshme, pasi që në Kosovë nuk e kemi të zhvilluar këtë industri prodhuese. Por, ato do të zëvendësohen duke u importuar nga vendet tjera, përkatësisht nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Palushi.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës, pas vendosjes së taksës 100 për qind për brendet e huaja ndërkombëtare të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ka shprehur shqetësim për vendosjen e barrierave tregtare.
Përmes një komunikate për media, Oda Ekonomike Amerikane kishte theksuar “se çfarëdo vendimi për barriera tarifore dhe jotarifore do të gjenerojë efekte negative për ekonominë e Kosovës në periudhë afatgjatë meqë sipas tyre, do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe do të pengojë prospektet për krijimin e vendeve të punës, duke lënë në hije efektet pozitive shkurtpamëse që vendimi mund të ketë”.
Vendosja e këtyre taksave doganore kishte ngritur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë. Serbia, e cila para vendosjes së kësaj takse në ditë eksportonte në Kosovë mallra në vlerë mbi 1 milion euro, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.
Ndërkohë, mekanizmat ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.