Kuvendi i Kosovës me një seancë të veçantë ka shënuar 23-vjetorin e ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike (NATO) në Kosovë, ndërhyrje e cila ndali luftën e vitit 1999.
Seanca nisi me një minutë heshtje për ish-sekretaren e shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë dje, si dhe me një video-mesazh për nder të këtij përvjetori nga ish-komandanti i NATO-s për Evropën në kohën e luftës, Wesley Clarck, i cili tha se ndërhyrja e NATO-s ka ndryshuar jo vetëm historinë e Kosovës, por edhe të Evropës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte i drejtë dhe i domosdoshëm.
Para deputetëve të Kuvendit, Kurti tha se intervenimi i NATO-s ndodhi në kohën kur në Kosovë çdo ditë hapeshin varre për fëmijë, burra, gra e pleq, si dhe u kryenin qindra masakra.
Megjithë krimet e bëra në Kosovë, Kurti tha se 23 vjet pas përfundimit të luftës Serbia ende nuk ka kërkuar falje.
“23 vjet pas përfundimit të lutës fqinji ynë verior as nuk kërkon falje as nuk do që t’i kuptojë e pranojë përmasat e krimeve të veta në Kosovë. Në vend që të hapë arkivat shtetërore që do të mund të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë dhe të zbuloheshin ekzekutorët e krimeve, pushtetarët e Serbisë arsyetojnë veprimet gjenocidale të Millosheviqit dhe e fajësojnë NATO-n për bombardime”, tha Kurti.
Përfaqësuesi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvend, Abelard Tahiri, tha se për të ardhur tek ndërhyrja e NATO-s populli kosovar u desh të vritej, të përndiqej, të dëbohej e masakrohej.
Tahiri tha se ishte populli kosovar i udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai që nxiti reagimin e NATO-s në Kosovë.
“Ishte kjo luftë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës së bashku me protagonistët e saj në mbshtetje të të gjithë popullit të Kosovës, ajo që bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë, të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë”, tha Tahiri.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se intervenimi i NATO-s ishte përgjigje e domosdoshme ndaj agresionit gjenocidal të Millosheviqit në Kosovë.
Ai tha se 24 marsi i vitit 1999 shënon momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur.
Spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve pa dallim, dhunimet sistematike gjithandej nëpër Kosovë, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me focë, s’mund të merrnin përgjigje tjetër përveçse intervenim të tillë. Prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit”, theksoi Abdixhiku.
Më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë.
Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).