As pas takimit në të cilën morën pjesë ndërkombëtarët, duket se nuk është arritur marrëveshja për formimin e Qeverisë. Isa Mustafa thotë se LDK’ja është e gatshme të bëjë marrëveshjen, me kushtet e saj.
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, është deklaruar për media, pas takimit që zgjati gati tri orë mes LDK’së, Vetëvendosjes, e në të cilën morën pjesë edhe ambasadorë e përfaqësues të shteteve të QUINT’it.

Mustafa ka thënë se ambasadorët vetëm u informuan rreth takimit dhe nuk kanë ndërmjetësuar mes LDK’së e VV’së.
“Informuan ambasadorët e QUINT’it, sepse ata kishin ardhur për t’u informuar, jo për të ndërmjetësuar”, ka thënë Mustafa, raporton Express.
Ai thotë se partia e tij është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje kurdo që VV e pranon ofertën e saj.
“Si LDK jemi të bindur që zgjidhja që e kemi ofruar.. e balancon besimin e qytetarëve që e kemi marrë nga qytetarët. Jemi të hapur nëse VV’ja i pranon kushtet e tona për qeverisje, ne në cdo moment jemi të gatshëm të lidhim një marrëveshje”, tha Mustafa pas takimit.

Nderkohe Kurti pas takimit që zgjati tri orë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes ka deklaruar për media se ka pasur interesim dhe gatishëmri që të formohet koalicioni, por sipas tij nuk mund të ketë koalicion me përafrim të njëanshëm.
“Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime ka qenë shumë e madhe. Na ka ngelur vetëm një javë kohë. Pa rezerva dhe me punë të palodhshme kam qenë i hapur për marrëveshje, por nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Për koalicion, afrimi duhet të jetë i dyanshëm”, është shprehur Kurti para mediave.
© Argumentum.