Në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog (FPD) u mbajt sesioni “65 vjet pas Traktit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kishte fjalën hapëse të sesionit, ku ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka miratuar vendime të vështira për anëtarësim në NATO dhe BE, duke aluduar në arritjen e Marrëveshjes së Prespës me të cilën u zgjidh kontesti i emrit me Greqinë.
Ndonëse anëtarësimi në NATO është një gjë e kryer, Kovaçevski rikujtoi se eurointegrimi i vendit është bllokuar.
“Për shkak të një bllokade, Bashkimi Evropian nuk po i përmbush premtimet e tij, megjithëse ka mbështetje të gjerë të shteteve anëtare, për të cilën unë dhe qytetarët e vendit jemi vërtet mirënjohës. Ne vazhdojmë të punojmë për evropianizimin e sistemit të përgjithshëm në vend, vlerat demokratike dhe shoqërore evropiane i zbatojmë në vend. Ne jemi pjesë e familjes evropiane dhe ndajmë të njëjtat vlera”, tha Kovaçevski.
Gjatë sesionit, video-porosi kishte Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, i cili tha se bota po përballet me kohëra të vështira ekonomike, duke përmendur krizën e shkaktuar nga koronavirusi, si dhe luftën në Ukrainë.
Ai tha se Ballkani Perëndimor është prioritet i BE-së, duke shtuar se për këtë kanë përfshirë Ballkanin Perëndimor në politikat për zbutjen e krizës, si dhe për zvogëlimin e varësisë nga karburantet fosile ruse.
Ai theksoi se investimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojnë edhe më tej, duke theksuar ekonominë e gjelbër dhe digjitalizimin.
“Bashkëpunimi ynë rajonal me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor është një zgjedhje gjeopolitike dhe gjeostrategjike e Bashkimit Evropian. Ballkani Perëndimor i përket Evropës. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë riafirmuar në mënyrë të njëanshme mbështetjen e qartë të BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Varhelyi.
Fjalim kishte edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila tha se kur është në pyetje Ballkani Perëndimor, nuk bëhet fjalë p|er zgjerim por rrumbullakësim të BE-së.
Siç theksoi Bërnabiç, rajoni është i rrethuar nga vende anëtare të BE-së dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje strategjike që duhet bërë sa më parë që është e mundur.
“Është shumë e rëndësishme për ne, si Serbi, sepse avancimi i të gjithë rajonit drejt BE-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë rajonale, paqen, për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit në aspektin politik dhe ekonomik”, tha Bërnabiç.
Ajo gjithashtu tha se tani, gjithnjë e më shumë zyrtarë evropianë theksojnë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovë, ndonëse sipas saj, në dokumentet zyrtare të negociimit, kjo gjë nuk është kërkuar asnjëherë.
Në sesion, fjalime kishin edhe Majlinda Bregu nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Matteo Bonomi, ekspert i ekonomisë në Institutin Ndërkombëtar në Romë.
Gjithashtu, në pjesën e dytë të sesionit, fjalime kishin ministrat e vendeve të rajonit nga sfera ekonomike./AA