Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdarin. Znj. Hajdari është paraqitur vetë në sallë në momentin e leximit të vendimit.
“Ishte një vendim i pritshëm”, këto ishin fjalët e vetme që ish-gjyqtarja tha për mediat pas vendimit të KPK, ndërsa avokati Maks Haxhia tha se vendimi do të apelohet në Komisionin e Posaçëm të Apelimit
Fatmira Hajdari doli të hënën para vettingut e shoqëruar nga dy avokatët e saj respektivisht Maksim Haxhia dhe Ilira Dane.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në relatimin e tij theksoi se ILDKPKI ka përcjellë raport pozitiv mbi subjektin vlerësues ku thuhet se nuk ka fshehje pasurie, mosdeklarim apo konflikt interesi.
Por në relacionin e përgatitur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, thuhet se gjyqtarja, Fatmira Hajdari ka probleme me justifikimin e pasurisë pavarësisht se Inspektorati i Deklarimit te Pasurive ka dorëzuar raport pozitiv.
Deputetja, Rudina Hajdari, ka komentuar nga Kuvendi vendimin për shkarkimin nga detyra si gjyqtare të nënës së saj Fatmira Hajdari.
” Dita e sotme ka filluar me një lajm për familjen time. Shumë njerëz më janë hedhur në fyt dhe thonë që unë rri në Kuvend për time më. Ato që më janë hedhur si ujqër sot e morën përgjigjen, unë besoj te Reforma në drejtësi, kur e them për time më unë e them për të gjithë, sepse shkoj përtej interesave të familjes sime”,tha Znj. Hajdari ne parlament.
Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Apelit të Tiranës u shkarkua sot nga detyra pas problemeve të shumta me pasurinë dhe mosdeklarimin e revokimit të dy vizave amerikane në kriterin e figurës.
Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia dhe me anëtarë Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja. Vetë Hajdari e konsideroi vendimin “të pritshëm” pas seancës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërsa avokati i saj, Maks Haxhia aludoi se “KPK po pastronte me lista”.
Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit ’90, i cili u vra në vitin 1998 si dhe nëna e deputetes Rudina Hajdari. Ajo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2003, ndërsa në korrik 2013 u emërua gjyqtare në Apelin e Tiranës./argumentum.al