Kredia për ekonominë shënoi një kërcim të fortë në muajin mars, me një rritje prej pothuajse 19 miliardë lekësh ose rreth 150 milionë euro. Portofoli total i kredisë arriti një vlerë totale prej 597.4 miliardë lekësh, me një rritje vjetore 9.2%. Kjo është rritja më e lartë vjetore e kredisë e regjistruar prej shumë vitesh dhe natyrisht surprizuese, duke pasur parasysh se epidemia e Covid-19 solli një bllokim masiv të ekonomisë në gjysmën e dytë të muajit.
Kredia në valutë përbën më shumë se gjysmën e portofolit të kredisë për ekonominë, megjithëse në vitet e fundit ka një tendencë të zhvendosjes së huadhënies drejt lekut, sidomos në segmentin e individëve.
Ndryshimet në portofolin e kredisë sipas segmenteve duket se janë kryesisht të lidhura me efektin e kursit të këmbimit. Kredia për biznesin u rrit me rreth 4% dhe ngelet kolona kryesore e kreditimit të ekonomisë. Në fund të muajit mars, me rreth 60% të portofolit total. Në segmentin e individëve, rritja ishte rreth 2%, edhe për shkak të një peshe relativisht më të ulët të euros kundrejt totalit të portofolit.