Kremlini reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili tha se beson se presidenti rus, Vladimir Putin, është “vrasës”.
Këto fjalë janë “shumë të këqija” dhe pa precedent, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Në komentet e para pas deklaratës së Bidenit, një ditë më herët, Peskov tha se Biden qartazi nuk dëshiron të ndërtojë lidhje me Rusinë dhe se Moska do të duhet ta marrë parasysh këtë qëndrim.
Biden, në një intervistë për kanalin ABC News, u pyet nëse beson se presidenti rus është vrasës dhe ai tha “po”.
Ai po ashtu e përshkroi Putinin si njeri pa shpirt dhe tha se Rusia “do të paguajë çmim” për ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në nëntor të vitit të kaluar.
“Këto deklarata nga presidenti i Shteteve të Bashkuara janë shumë të këqija”, tha Peskov.
Pak orë pas komenteve të Bidenit, Rusia i ka kërkuar ambasadorit të saj në SHBA që të kthehet në Moskë për konsultime.