Kremlini njoftoi të hënën se i ka kushtuar vëmendje të madhe planit 12-pikësh të paqes të Kinës për luftën Rusi-Ukrainë të cilin Pekini e shpalli të premten, raporton Anadolu.
“Të gjitha përpjekjet për zhvillimin e një plani që do të ndihmojë në zhvendosjen e konfliktit në një kurs paqësor meritojnë vëmendje. Ne e trajtojmë planin e miqve tanë kinezë me shumë kujdes”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë shtypi në kryeqytetin Moskë.
Ai tha se plani duhet të analizohet thellësisht duke pasur parasysh interesat e palëve të ndryshme, duke theksuar se ky është një proces shumë intensiv.
Ministria e Jashtme e Kinës të premten doli me një deklaratë ku përshkruante qëndrimin e Pekinit për zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainë, ku theksohen 12 pika, duke përfshirë respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve, përfundimin e armiqësive, rifillimin e bisedimeve të paqes dhe zgjidhjen e krizës humanitare në rajon.
Plani bën thirrje për ruajtjen e sigurisë së termocentraleve bërthamore, lehtësimin e eksporteve të grurit dhe heqjen e sanksioneve të njëanshme, duke potencuar se “dialogu dhe negociatat janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për krizën ukrainase”.
Duke folur për tensionet në Transnistria të Moldavisë, Peskov tha se Moska po monitoron nga afër situatën në rajonin e shkëputur, pas pretendimeve të javës së kaluar nga Ministria ruse e Mbrojtjes se Ukraina po planifikon një provokim të armatosur.
Bashkimi Evropian miratoi pakon e dhjetë të sanksioneve të premten me ndalime të reja tregtare dhe kontrolle të eksportit për produktet dhe teknologjitë që mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake.
“Është e qartë se ata (Perëndimi) kanë një mungesë të caktuar të objekteve për sanksionim, gjë që shpjegon përfshirjen e palogjikshme të disa individëve ose personave juridikë në lista”, tha Peskov.
Ai shtoi se këto sanksione padyshim do të vazhdojnë, duke pretenduar se “në lista, në mënyrë absurde do të shtohen persona të rinj juridikë dhe individë”.
“E gjithë kjo natyrisht se është absurde dhe është e qartë se nuk dihet se kujt i vendosen sanksionet, njerëzve që nuk kanë lidhje me asnjë temë sanksionesh, vetëm për të formuar disa lista të reja”, tha Peskov.
Peskov tha se është i sigurt se zbatimi i sanksioneve nuk do të shkaktojë shqetësim për njerëzit e prekur nga sanksionet.