Një ndihmës i lartë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka refuzuar çdo armëpushim të përkohshëm me Ukrainën, disa orë para se një delegacion amerikan të mbërrinte në Rusi për bisedime me Moskën, ku ata do t’i bëjnë thirrje Kremlinit që të pajtohet me propozimin për një armëpushim 30-ditor ose në të kundërtën do të përballen me sanksione.
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, në një intervistë për televizionin shtetëror rus tha më 13 mars se propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, që Kievi e ka pranuar, vetëm do t’i jepte kohë Ukrainës që të rimëkëmbet nga presioni që Rusia i ka bërë ndaj trupave të saj.
“E kam paraqitur qëndrimin tonë se kjo nuk është asgjë më shumë se sa një pushim për ushtrinë ukrainase, asgjë më shumë”, tha Ushakov, i cili për më shumë se gjysmëshekulli është i përfshirë në diplomaci dhe konsiderohet se është këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Kremlinit.
Ai shtoi se qëndrimin e Moskës ia ka paraqitur këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar një ditë më parë.
“Më duket se askush nuk ka nevojë për hapa që imitojnë veprime paqësore në këtë situatë”, tha ai, duke theksuar se Rusia dëshiron një zgjidhje afatgjatë që adreson interesat dhe e saj dhe merr parasysh shqetësimet e Moskës./REL