Arqidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës kujtoi 15-vjetorin e Shugurimit Ipeshkvnor të Arqipeshkvit Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo.15 vjet më parë, me 23 shtator 2006, u shugurua Ipeshkëv Mons. George Frendo, prifiti maltez i urdhërit Domenikan.
Mesha e Shenjtë në Katedrale e “Shën Palit” u udhëheq nga Mons.Frendo, në praninë e Nuncit Apostolik Imzot Luigi Bonazzi, Ipeshkvit Ndihmës i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës Imzot Arjan Dodaj, Ipeshkvi i Sapës Imzot Simon Kulli, Ipeshkvi i Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, Ipeshkvi i Administraturës Apostolike të Jugut Imzot Giovanni Peragine dhe dhjetra e qindra meshtarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë të Arqidioqezës.
Një meshë me një emocion shumë të madh, në nder të 15 vjetorit Ipeshkvnor të Mons.George Frendo, prifti maltez që hyri në zemrat e shqiptarëve si askush tjetër.
Këtë e tregojnë duartrokitjet e gjata në këmbë, dhe sytë e përlotur të qindra besimtarëve ndërsa ai po i lajmëronte se mbase kjo do të ishte hera e fundit që po kremtonte përvjetorin e shugurimit ipeshkvor në Shqipëri.
“Këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë të shugurimit tim. Prillin e kaluar kam mbushur 75 vjeç, dhe, sipas normave të Kishës, me të arritur atë moshë duhet t’i dorëzojmë Atit të Shenjtë dorëheqjen tonë nga detyra e ipeshkvit dioqezan. Në fakt ia kam dorëzuar Papës letrën time sipas normave të Kishës. Prandaj është shumë e mundshme që kjo të jetë hera e fundit që po kremtoj përvjetorin e shugurimit tim ipeshkvor në Shqipëri”, do të deklaronte Mons. Frendo në letren përshëndetëse para qindra besimtarëve.
Mons. George Frendo, nuk e fsheh aspak emocionin e tij, ndërsa rrefen se ishte surprizuar, nga mikpritja, respekti, dhe dashuria që ka marrë gjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri nga gjithë shqiptarët. Një ndjenjë e vaçantë qe nuk do ta harroje kurrë. Ndaj ka një vigjilence, dhe përkujdesje të jashtëzakonshme ndaj çdo fenomeni që prek këtë vend.
“Në Shqipëri po fryn një uragan vdekjeprurës. Është uragani i shekullarizmit dhe konsumizmit.Shfarosjen që nuk ka pasur sukses ta bënte komunizmi i egër i Enver Hoxhës po bën me sukses shekullarizmi dhe konsumizmi, që populli ynë e ka mësuar nga vendet perëndimore të Evropës”, kështu thotë Mons. Frendo duke iu referuar situatës në të cilën ndodhet sot rinia shqiptare përballe modeleve jo të shëndetshëm që shpesh serviren nga rrjetet sociale dhe jo vetëm. Rritja e konsiderueshme e vrasjeve, dhe përhapja e madhe drogës, janë këto fenomene që po e vret shoqërinë shqiptare.
Sikundër Jezu Krishti iu tha Dishepujve të tij, ashtu dhe Mons.Frendo ka një porosi për të gjithë besmitarët e krishterë që të bëhen “Kripa e Tokës” dhe “Drita e Botës” për ti treguar botës rrugën e jetës dhe së vërtetës, rrugën drejt burimit të jetës, njohja me Krishtin.
”Jeni ju që, si kripa për ushqimin, duhet t‘i jepni shije shoqërisë së sotme, dhe, si drita e botës, duhet të jeni ju që do t’i tregoni botës rrugën e jetës dhe së vërtetës. Krishtërimi është një lajm i mirë. Tregojini botës, atyre që takoni në punë, në dyqane, në universite dhe në shkolla, sa e bukur është ta njohësh Krishtin. Tregojuni atyre që ekziston një lloj i ndryshëm gëzimi, një gëzim i vërtetë, i vetmi që mund të na çojë drejt burimit të jetës”
“Këto fjalë, janë testament të lëna nga goja e tij”, tha Nunci Apostolik Luigi Bonazzi, duke iu referuar të gjitha porosive të Mons.Frendos.
Në fakt e gjithë vepra e Mons.George Frendos në Shqipëri është një pasuri e paçmueshme.
“Rroftë Shqipëria jonë! Rroftë Krishti Mbret!
Janë fjalet përmbyllese në këtë homeli, duke bërë që qindra të pranishëm të nderonin në këmbë njeriun që i dha kaq shumë këtij vendi.
Faliminderit Mons.George Frendo!
***
Fjala e Plotë:
NË PËRVJETORIN E 15të E SHUGURIMIT IPESHKVOR
Fort të dashur, së pari ju falënderoj që keni ardhur, me mua, ta falënderoni Zotin për këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë të shugurimit tim. Prillin e kaluar kam mbushur 75 vjeç, dhe, sipas normave të Kishës, me të arritur atë moshë duhet t’i dorëzojmë Atit të Shenjtë dorëheqjen tonë nga detyra e ipeshkvit dioqezan. Në fakt ia kam dorëzuar Papës letrën time sipas normave të Kishës. Prandaj është shumë e mundshme që kjo të jetë hera e fundit që po kremtoj përvjetorin e shugurimit tim ipeshkvor në Shqipëri. Atëherë e vlerësoj më shumë praninë tuaj.
Atë ditë kur jam shuguruar ipeshkëv ndihmës nga paraardhësi im Monsinjor Rrok Mirdita, në fjalimin tim në fund të meshës, kam thënë se të jem ipeshkëv nuk do të thotë të kem një karrierë, një punë, një profesion, por është një mundësi e re për t’i shërbyer Zotit dhe popullit; nuk do të thotë të kem një pozitë për të dëftuar vetveten dhe aftësitë e mia: por është një thirrje për të dëftuar Jezu Krishtin i cili vepron në mua dhe nëpërmjet meje; nuk është një zyrë që më largon nga populli: por është një mision që kërkon të jem gjithmonë afër popullit dhe ta dëgjoj popullin.
Me ndihmën e Zotit, jam përpjekur të zbatoj këto premtime që kisha bërë atë ditë para pesëmbëdhjetë viteve. Pranoj sinqerisht se, pa dashur, kam bërë gabime, për të cilat kërkoj falje prej Zotit dhe prej jush. Megjithatë, gjatë këtyre viteve kam parë, me sytë e mi, sesi Zoti ka treguar praninë, dashurinë, dhe veprimin e tij në arqidioqezën tonë. Kemi parë rritjen e numrit të katolikëve në këtë arqidioqezë, jo vetëm me katolikët që erdhën nga veriu (që janë shumë), por edhe me shumë persona të rritur, disa prej të cilëve vinin nga besime të ndryshme ose edhe nga ateizmi, që janë pagëzuar katolikë. Dy meshtarë nga kjo arqidioqezë janë shuguruar ipeshkvinj në dy dioqeza të ndryshme, Mons. Gjergj Meta për Rrëshenin dhe Mons. Giovanni Peragine për Jugun e Shqipërisë; dhe është shuguruar Mons. Arjan Dodaj si Ipeshkëv Ndihmës. Për tri vjet kemi bashkëpunuar në Sinodin Dioqezan, frytin e të cilit do ta korrim në vitet e ardhshme. Dhe shumë bekime të tjera me të cilat na ka pasuruar Zoti. Shpresoj se, atë ditë, kur do të paraqitem para Zotit nuk do të meritoj atë qortim me të cilin Zoti, nëpërmjet Jeremisë, i ka qortuar udhëheqësit e Izraelit, kur u tha: “Ju e tretët grigjën time, i shpërndatë delet mia, e nuk u kujdesuat për to”.
Megjithatë, me shumë këmbngulje ju kujtoj fjalën e Shën Palit në Letrën e tij drejtuar Romakëve: “Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote”. E them këtë sepse në Shqipëri po fryn një uragan vdekjeprurës. Është uragani i shekullarizmit dhe konsumizmit. Shqipëria ka fituar demokraci dhe liri, përfshirë lirinë e besimit. Por duke hapur dyert dhe dritaret drejt perëndimit, gjëja e parë që ka mësuar nga perëndimi ishte pikërisht shekullarizmi dhe konsumizmi, dhe këto janë bërë, për shumë shqiptarë, Ungjilli i ri që ka zëvendësuar Ungjillin e Krishtit. Nuk habitemi, pra, kur shohim një rritje të konsiderueshme të vrasjeve, një përhapje të madhe të drogës, familja shqiptare po përballon tmerrësisht sfidën e mosbesnikërisë martesore dhe të divorcit, rritjen e numrit të aborteve, që në kohën e komunizmit, ishin një tabu (edhe pse, sigurisht, jo për arsye morale), dhe sot po praktikohet, pa kontroll, përhapja e pornografisë. Po të shfletojmë disa revista apo gazeta nuk do të jetë e vështirë të vërejmë se mjetet tona të komunikimit po na paraqesin një model të ri të burrit model dhe të vajzës modele. Burri model nuk është më ai burrë i kushtuar familjes së tij, i interesuar në edukimin e fëmijëve të tij, por është ai burrë tekanjoz, seksual. Vajza modele nuk është më ajo vajzë që respekton dinjitetin e vet që tërheq respektin e të tjerëve në sajë të seriozitetit të saj, por ajo vajzë seksi që shet trupin e vet, që është bërë si një objekt i bukur i vendosur në vitrinë, ku të gjithë mund ta shohin.
Shfarosjen që nuk ka pasur sukses ta bënte komunizmi i egër i Enver Hoxhës po bën me sukses shekullarizmi dhe konsumizmi, që populli ynë e ka mësuar nga vendet perëndimore të Evropës.
E çfarë të themi për praktikën e besimit me sakramentet? Çdo ditë të diel Zoti i thërret dhe fton besimtarët për një takim një orë me të në meshë. Nga rreth 60 mijë katolikë që banojnë në Tiranë besoj se nuk ka më shumë se gjashtë përqind që pranojnë ftesën e Zotit. Tirana po bëhet një qytet pagan. Shumë besimtarë janë tepër koprrac me Zotin. Gjejnë çdo arsye për ta injoruar ftesën e Zotit. Disa thonë se kanë frikë nga Covidi (edhe pse ata vetë dalin, shkojnë në punë, fëmijët i dërgojnë në shkollë). Disa tjerë thonë se besimin e kanë në zemër, prandaj nuk kanë nevojë të vijnë në Kishë. Disa tjerë kanë shkuar tek sektet, që sigurisht nuk kanë historinë dymijëvjeçare qe ka Kisha Katolike, e prandaj nuk vijnë tek Jezu Krishti. Më shqetëson shumë fakti se shumë adoleshentë, sapo marrin sakramentin e krezmimit, zhduken. Nuk i shohim më, përveçse kur kanë nevojë për një ndihmë. Sigurisht se në atë moshë kritike takohen, në shkollë dhe në universitet, me bashkëstudentë që u përkasin besimeve të tjera, ose që nuk i përkasin asnjë besimi, ose që mendojnë se braktisja e fesë është shenjë emancipimi, shenjë që tani janë “modernë”, të matur, të zhvilluar. Nuk kanë kuptuar ose nuk kanë pranuar fjalën e Shën Palit: “Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote”. Krishtërimi ka qenë gjithmonë, dhe ende është, një “kundër-kulturë”, por që hap rrugën për një kulturë të thellë dhe të vërtetë, siç është personifikuar në figurat si Shën Augustini, Shën Toma, Shën Gjoni i Kryqit, Papa Gjon Pali II, Nënë Tereza.
Nuk po e them këtë për t’ju shkurajuar. Përkundrazi, dua që këto fakte t’ju bëjnë më të vetëdijshëm për misionin fisnik që keni. Jezusi ju ka thirrur “kripa e tokës” dhe “drita e botës”. Jeni ju që, si kripa për ushqimin, duhet t‘i jepni shije shoqërisë së sotme, dhe, si drita e botës, duhet të jeni ju që do t’i tregoni botës rrugën e jetës dhe së vërtetës. Krishtërimi është një lajm i mirë. Tregojini botës, atyre që takoni në punë, në dyqane, në universite dhe në shkolla, sa e bukur është ta njohësh Krishtin. Tregojuni atyre që ekziston një lloj i ndryshëm gëzimi, një gëzim i vërtetë, i vetmi që mund të na çojë drejt burimit të jetës.
Më kujtohet një këngë angleze e rinisë sime:O Lord, I’m glad that I know thee – O Zot, jam i lumtur se të njoh. Le t’i themi edhe ne këto fjalë. Sa keq, se ka shumë që kanë mundësi ta njohin, ose tashmë e kanë njohur, Jezusin, por nuk kuptojnë pse duhet të ndihen të lumtur duke e njohur. Po, të lumtë ne, se kemi njohur një Zot që nuk na nxit për hakmarrje, por për faljen, sepse ai vetë na dha shembull, duke falur xhelatët që e kryqëzuan. Është një Zot që nuk na ka mësuar artin e luftës, por artin e dashurisë dhe të paqes. Është Zoti që nuk na thotë: “Unë jam i shenjt, prandaj ti, që je mëkatar, largohu nga unë”, por na thotë: “Unë jam ai mjek që nuk shkon tek të shëndoshët, por tek të sëmurët, që guxoj t’i afroj mëkatarët”. Është Zoti që na fton: “Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur, dhe unë do t’ju çlodh”, por edhe ne mund t’i themi: “Edhe ti, o Zot, eja tek ne kur ndihemi të keqkuptuar, të vetmuar, të braktisur, dhe na bind se nuk jemi kurrë vetëm: Ti je gjithmonë me ne”. Ja pse martirët tanë, në momentin e vrasjes së tyre, kanë bërtitur: “Rroftë Krishti Mbret!”
Sa bukur që mund ta ndiejmë praninë e Zotit në familjet tona në momente gëzimi dhe trishtimi! Sa bukur se edhe në këtë moment po e ndiejmë praninë e tij, gëzimin e tij, paqen e tij! Sa bukur se edhe ne mund t’u bashkohemi martirëve tanë dhe bashkë me ta të bërtasim: “Rroftë Shqipëria jonë! Rroftë Krishti Mbret!”