Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me dramën shqiptare “Kreolët e Ballkanit” u përfaqësua mbrëmjen e djeshme në festivalin “Talia e Flakës 2019”, që po zhvillohet në qytetin e Gjilanit në Kosovë.
“Kreolet e Ballkanit” u nderua me dy çmime në festivalin “Talia e Flakës 2019” në Gjilan. “Drama më e mirë origjinale” shkoi per autorin dhe regjisorin Enver Petrovci dhe “Çmimi special i jurisë fryma e re për brezin e ri” shkoi për aktoren Vanesa Petrovci.
Kjo dramë e shkruar dhe me regji nga Enver Petrovci erdhi nën interpretimin e aktorëve Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci.
Drama është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur, i cili ka nevojë të ulë në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë.
Pak mbi festivalin “Talia e Flakës”
Festivali “Talia e Flakës” nisi mbrëmjen e datës 23 janar dhe përfundoi mbrëmjen e djeshme me ndarjen e çmimeve. Në këtë festival u prezantuan veprat shqiptare “I ligu për mend” autor Gjergj Fishta dhe regjia Altin Basha, Teatri Kombëtar i Kosovës; “I vetëm në banesë” autor Avni Shkodra dhe regjia Natyra Kallaba, Teatri i Qytetit në Gjilan; “Kreolët e Ballkanit” nga Enver Petrovci -Teatri Eksperimental në Tiranë; “Hipokritët ose pacienti anglez” autor Jeton Neziraj dhe regjisorë Blerta Neziraj dhe Agon Myftari, Qendra Multimedia, si dhe sonte në natën e fundit është vepra “Kur Hana del” autor Ag Apolloni dhe regjia Ben Apolloni teatri “Adriana” Ferizaj.
Festivali i dramës kombëtare “Talia e Flakës”, që mbahet në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2019” edhe sivjet ka sjellë në skenë shfaqjet më të mira të realizuara kohëve të fundit e që janë me autorë shqiptarë. I zhvilluar prej vitesh në këtë qytet ky festival ka sjellë dhe më parë vepra teatrore që janë mirëpritur nga publiku, mes tyre nuk kanë munguar dhe ato nga Shqipëria. Edhe një vit më parë në skenën e festivalit u prezantuan shfaqje që përcillnin mesazhe për shoqërinë, me regjisorë të njohur, por dhe në role aktorë që publiku i njeh në skenat e teatrit në Shqipëri dhe në Kosovë.