Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e hënë, më 02 maj 2022, në orën 06:20 në ‘Sheshin Skënderbej’, Tiranë.
“Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit”, shprehet kreu i KMSH-së.
Spahiu tha se lut Zotin për “paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave”.
Mesazhi i plotë:
Të dashur motra dhe vëllezër!
Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.
Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.
Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.
Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!
Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë.
Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.
Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.
I Lartmadhëruari ka thënë: ‘Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.’ (El-Bekare).
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: ‘Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.’
E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.
E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore.
E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.
Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha.
E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.
Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!
Programi i KMSH për Bajramin e Madh
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e hënë, më 02 maj 2022, në orën 06:20 në ‘Sheshin Skënderbej’, Tiranë.
Programi fillon në orën 05:50 dhe mbaron në orën 06:30.
Programi i plotë i Fitër Bajramit:
05:50-Hapja
05:55-Lexim Kurani nga Besmir Krruta
06:00-Fjala përshëndetëse e kryetarit të KMSh-së, h. Bujar Spahiu
06:10-Ligjëratë nga nënkryetari i KMSh-së, z. Taulant Bica
06:20-Falja e Namazit të Bajramit, prin kryetari i KMSh-së, z. Spahiu
06:25-Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli