Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Tiranë, Presidentja në detyrë e Kosovës dhe kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani është pritur nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Për kryeparlamentarin kjo vizitë e Osmanit, shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, teksa nuk u la jashtë vëmendjes së takimin edhe përballja në gjykatën në Hagë të ish- drejtuesve të UÇK-së. Për më tepër, nënvizoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërt.
”Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur. Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe NATO. Për çlirimin e Kosovës NATO dhe fuqitë perëndimore për herë të parë hynë në një luftë, e cila u vlerësua si “ndërhyrje humanitare. UÇK-ja dhe populli kosovar kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Shqipëria është e bindur se të gjitha akuzat kunder udhëheqësve të luftës së drejtë të Kosovës, që fatkeqësisht bazohen në raportin-plagjiaturë të Dick Marty, kujtimet e prokurores Karla del Ponte dhe raportin e prokurorisë serbe, nuk janë të bazuara në prova, por në shpifje e fantazi të sëmura. Kërkohet unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën. Të mos lejojmë që e vërteta e Kosovës të përmbyset dhe dosja e Kosovës të hiqet nga tryeza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Te Presidenti Biden, Kosova ka një mbështetës edhe më të fuqishëm që e njeh mirë rajonin dhe Kosovën”,-tha Ruçi.