Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi hapi të hënën sesionin e gjashtë të legjislaturës së 9 të parlamentit ku bëri një bilanc të shkurtër të arritjeve gjatë sesionit të kaluar dhe prioritetet e së ardhmes.
“Sesioni i kaluar ka qenë produktiv ku janë depozituar 59 pr/ligje, 40 ligje, 66 vendime. 3 rezolutat janë diskutuar dhe miratuar nga Kuvendi. 6 akte normative me fuqinë e ligjit në ndihmë të të prekurve nga tërmeti 66 vendime për zgjedhje apo emërime”, tha kreu i Kuvendit.
Gramoz Ruçi u shpreh se në këtë sesion të ri të parlamentit prioritetet mbetet ende reforma në drejtësi, e cila është në rrugën e duhur dhe po përfundon plotësimin e institucioneve të reja.
“Edhe gjatë këtij sesioni, reforma në drejtësi përbën një nga prioritetet më të rëndësishme. Puna është përqendruar në ndërtimin e organeve të reja. KLP dhe KLGJ po vijojnë në përmbushjen e funksioneve dhe raportojnë për veprimtarinë e tyre. Kuvendi është kujdesur që në buxhetin e vitit 2020 të parashikojë fonde për këto institucione. Më 11 nëntor Kuvendi zgjodhi Elsa Toskën dhe Fjona Papajorgjin anëtare në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, pavarësisht kontestimeve ka filluar nga funksionimi dhe është drejt plotësimit të saj. Më 5 dhjetor u zgjodh dhe Prokurori i Përgjithshëm”, u shpreh Ruçi.
Në fjalimin e tij, kreu i Kuvendit përmendi dhe ngjarjet tragjike të 26 nëntorit pas tërmetit që goditi vendin dhe reagimin e institucioneve për përballimin e pasojave. Ai falënderoi dhe opozitën që la pas axhendën politike dhe u solidarizua në këtë moment të vështirë.
“Sesioni i ri fillon pas ngjarjes që ndodhi me tërmetin e 26 nëntorit. Kjo situatë shërbeu për të treguar solidaritetin dhe humanizmin e çdo shqiptari. Qeveria dhe Kuvendi iu përgjigjën me shpejtësi nevojave të qytetarëve të prekur. Falenderoj qeverinë për mobilizimin dhe kompetencën për përballimin e pasojave, strehimin e qytetarëve dhe rindërtimin e banesave. Vlerësoj qëndrimin e opozitës që u solidarizua për të dëmtuarit nga tërmeti. Nga kjo ngjarje duhet të reflektojmë për dispozitat ligjore për të garantuar sigurinë e qytetarëve nga fatkeqësitë natyrore”, tha Ruçi.
Me tej, Gramoz Ruçi tha se ky vit përkon me 100 vjetorin e parlamentarizmit shqiptar, për të cilin janë organizuar shumë aktivitete për të përkujtuar vendimin e burrave të shquar të Kongresit të Lushnjes që nuk lejuan copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“Nisimi sesionin e ri që përkon me 100 vjetorin e parlamentarizmit shqiptar. Një shekull me parë ishim në udhëkryq, por burra të shquar u mblodhën në Kongresin e Lushnjes dhe morën vendime të rëndësishme për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar. Ata u betuan në flamurin kombëtar të pavarësisë, përsosën vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe ringritën institucionet përfaqësues dhe iu dërguan letër qeverive evropiane dhe të SHBA se shqiptarë do të luftojnë deri në fund për të qenë të lirë. Ishte zëri i presidentit Willson që ndali projektin për ndarjen e Shqipërisë. Veprimtaritë e 100 vjetorit të parlamentarizmit nisin nesër në Lushnje dhe do të vazhdojnë më tej në Tiranë”, shtoi kreu i Kuvendit.