Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, zhvillojë një vizitë zyrtare ditën e sotme ne vizite zyrtare në vendin tonë.
Jeliazkov u prit në vizita të ndara nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla bashkë dhe Presidenti Bajram Begaj.
Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Rossen Jeliazkov, tha sot nga Tirana, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, se po punohet që brenda vitit të vendoset linjë ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Sipas tij, kjo linjë ajrore do t’i japë një hov të ri turizmit mes dy vendeve.
“Brenda një viti, do të kemi linjë të rregullt ajrore mes dy vendeve. Diçka për të cilën po punojmë fort, në bazë të modelit të qëndrueshëm të suksesit. Kjo do t’i japi një potencial tjetër turizmit të dy vendeve. Po ashtu, do të inkurajojmë edhe mundësi të tjera të papërdorura deri më tani për shkëmbim të mallrave”, tha Jeliazkov.
Kreu i Kuvendit të Bullgarisë tha se Shqipëria është kampione e Ballkanit për sa i takon udhës së saj drejt integrimit në familjen europiane.
“Konkluzionet e Komisionit Europian, sa i përket indikatorëve të përparimit të Shqipërisë janë të përkrahura nga ana jonë. Shqipëria e ka përkrahjen e palëkundur të Bullgarisë. Ne mendojmë se në rrugën e integrimit duhet të jetë kryefjalë parimi i meritës. Në këtë aspekt, Shqipëria është kampione e rajonit. Ajo ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta të politikës së jashtme”, tha Jeliazkov
Ai shtoi se “Shqipëria ka një pozicion të palëkundur sa i takon luftës në Ukrainë dhe se përmbush të gjitha detyrat e saj të lidhura me nismat rajonale”.
Për kreun e Kuvendit të Bullgarisë mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura, përkundrazi dialogu politikë është i nivelit më të lartë.
“Gjatë takimit patëm një dialog intensiv dhe interesant. Nënvizuam marrëdhëniet tona edhe në kontekstin e integrimit në BE. Po ashtu diskutuam dhe në kuadër të sfidave rajonale, si edhe sa i takon rendit ndërkombëtarë. Folëm dhe në aspektin e marrëdhënieve parlamentare mes dy vendeve tona. Mes vendeve tona nuk ka çështje të hapura. Dialogu politik është në marrëdhëniet më të mira. Është konfirmuar dhe sot kjo marrëdhënie pozitive, ku zonja Nikolla pranoi ftesën për të ardhur në Sofje”, tha Jeliazkov
Sa i takon marrëdhënieve ekonomike, Jeliazkov u shpreh se korridori tetë do të jetë një mundësi tjetër për shkëmbimet tregtare dhe rritjen e investimeve të ndërsjella. Ai po ashtu vlerësoi Shqipërinë për respektimin e minoriteteve.
“Morëm konfirmim për garantimin e të drejtave të minoritetit bullgar në Shqipëri. Vlerësojmë përpjekjet për këtë. Në bazë të kësaj, edhe përkrahje edhe më të fortë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me grupin e miqësisë jemi të kënaqur që të zhvillojmë dialogun politik”, tha Jeliazkov.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e cilësoi investim strategjik në sigurinë e rajonit, rolin e Bullgarisë në mbështetje të integrimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kolegut Jeliazkov i shpreha mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme dhe të artikuluar qartë të Bullgarisë ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave”, tha Nikolla.
“Shqipëria vlerëson politikën e jashtme konstruktive të Bullgarisë, fokusin tek fqinjësia e mirë dhe përpjekjet për rritjen e rolit në nismat rajonale. Vlerësova gjithashtu rolin e Bullgarisë si përkrahëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, që e konsiderojmë si një investim strategjik dhe garanci për sigurinë e tij në të ardhmen dhe sidomos, kur palët e treta po punojnë për të rritur ndikimin e tyre në rajon”, nënvizoi Nikolla.
Nikolla vuri në dukje edhe linjëzimin e politikave të jashtme mes dy vendeve.
“Bullgaria dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të mirë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, i cili u konfirmua gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Vendet tona mbajnë të njëjtat qëndrimet sa i takon agresionit të paligjshëm dhe të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë për rehabilitimin e Ukrainës”, tha Nikolla.
Në aspektin ekonomik, ajo tha se dy vendet kanë hapësira të mëdha ku të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre. “Vlerësuam se janë të gjitha mundësitë që të dyja vendet të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes reciprok, infrastruktura, energjia, industria minerale, bujqësia, TIK, arsimi, kultura, mjedisi, sporti, siguria…etj.
Kryetarja e Kuvendit gjatë fjalës së saj theksoi se në takim vlerësoi rolin e pakicave kombëtare, si ura bashkëpunimi dhe asete kulturore. “Vendet tona i konsiderojnë pakicat kombëtare si urë për miqësinë e gjatë dhe të qëndrueshme, si dhe një aset për vlerat dhe shoqëritë tona”, shtoi ajo.
Nikolla gjithashtu u shpreh se gjatë takimit me homologun bullgar është diskutuar dhe për intensifikimin e marrëdhënieve parlamentare mes dy vendeve.
“Diskutuam për mundësinë për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe marrëdhënieve dypalëshe, vijimin e mbështetjes së Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në integrimin europian. Bashkëpunimi për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, Europë dhe më gjerë. Ramë dakord të intensifikojmë bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Asamblesë kombëtare, duke shtuar vizitat në nivele të larta, komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve”, tha Nikolla.
Kryetari i parlamentit Bullgar dhe delegacioni që e shoqëron u pritën edhe nga Presidenti e vendit, Bajram Begaj.
Presidenti Begaj falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE, për nismat e përbashkëta multilaterale, për kontributin me trupa ushtarake në KFOR, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike në nivelin e atyre politike.
Presidenti Begaj dhe kryeparlamentari Zhelyazkov e trajtuan çështjen e fundit duke u ndalur në mundësitë zhvillimore që do të sjellë në këtë pikë infrastruktura tokësore dhe ajrore. “Përshpejtimi i ndërtimit të korridorit të tetë, si edhe nisja e fluturimeve në fund të këtij viti të linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje, do të rrisin, pa dyshim, shkëmbimet tregtare dhe turizmin në të dyja vendet”, – vlerësoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Ne, – u shpreh Presidenti Begaj, – e konsiderojmë të një rëndësie strategjike Korridorin 8 dhe po punojmë shumë fort që të përmbyllet sa më shpejt. Rruga është zhvillim, dhe ky korridor do të sjellë zhvillimin për të gjithë rajonin tonë”.
Marrëdhëniet politike mes dy vendeve, procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, intensifikimi i raporteve ekonomike, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe ngritja e infrastrukturës në ndihmë të këtij procesi, ishin gjithashtu në fokus të këtij takimi.
Presidenti Begaj theksoi se situata aktuale në rajon kërkon mirëkuptim, bashkëpunim dhe tejkalim të politikave të së shkuarës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e plotë euroatlantik të tij.
Presidenti solli në vëmendje se “shqiptarët janë një popull që kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe e dinë që çmimi i lirisë është i pamatë, ndaj shqiptarët në rajon kanë qenë dhe janë paqedashës dhe faktor stabiliteti.”
Në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve përkatëse, Kreu i Shtetit siguroi se të drejtat e minoritetit bullgar në Shqipëri janë të garantuara dhe se në censin e kryer është siguruar vullneti i lirë i vetëdeklarimit nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent.
/Argumentum.al