Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe drejtuesi i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta, Arben Kraja ishin sot të pranishëm në një takim dypalësh në Podgoricë, Mali i Zi, me Prokurorin e Përgjithshëm të Malit të Zi, Milorad Markovic, dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, Vladimir Novović.
Në takimin me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, një rëndësi të veçantë iu kushtua diskutimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, lehtësimit të shkëmbimit të informacioneve dhe eksperiencave më të mira, propozimit për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, me qëllim pasjen e një qasje sa më të koordinuar dhe të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dumani bëri një prezantim të Strukturës së Prokurorisë së Posaçme, dhe treguesve të SPAK, ndaj hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionin.
Gjithashtu ai trajtoi praktikën e ndjekur tashmë nga ky institucion, në lidhje me fillimin paralel të hetimit pasuror dhe financiar, për çdo hetim që lidhet me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
/Argumentum.al