Investimi që po kryhet për shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës, pritet t’i japë një hap të ri zhvillimi sektorit, në eksporte dhe punësim.
Ministrja e Bujqvsisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca inspektoi në Durrës këtë investim të rëndësishëm që MBZHR po zbaton për përmirësimin e infrastrukturës në portin e peshkimit duke synuar zgjerimin e kapacitetit ankorues të anijeve të peshkimit.
Krifca u shpreh se shtimi i kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës (bankinë) sipas normativave të projektimit për portet, përmbush nevojat e komunitetit të peshkimit.
“Zgjerimi i kapaciteteve ankoruese të anijeve të peshkimit bën që rreth 35 anije të tjera të mund të ankorojnë, për shkak të një nevoje që komuniteti i peshkimit ka pasur në Durrës për këtë investim”, tha ministrja Krifca.
“Porti i peshkimit do vijojë të qëndrojë në pozicionin aktual edhe pas investimit strategjik të portit Durrës, duke u bërë i aksesueshëm nga komuniteti i qytetit bregdetar dhe pjesë integrale e jetesës së këtij qyteti, ku në vijim do të pasurohet edhe me një markatë peshku të vizitueshme për qytetarët”, shtoi Krifca.
Një investim prej afro 175 milionë lekë zëvendëson një pjesë të bankinave me gurë në bankina me palankola duke shtuar sipërfaqen e ankorimit të anijeve të peshkimit në bankinë me një gjatësi prej 190 m2, si dhe duke siguruar ankorimin e rreth 35 anijeve shtesë të peshkimit.
“Përmes këtij investimi në përmbushim një kërkesë të kahershme të peshkatarëve të cilët, të shtuar në numër, kanë patur vështirësi të ankorojnë të gjitha anijet në hapësirën në dispozicion”, theksoi Krifca.
Ky investim i rëndësishëm, po kryhet me angazhimin e plotë nga MBZHR dhe Krifca shprehu bindjen se brenda marsit ky investim do të finalizohet, duke i dhënë kështu mundësinë edhe barkave të vogla të ankorohen aty.
“Jam shumë e lumtur për këtë ecuri fantastike të bërë deri më tani dhe shumë shpejt do të shohim një realitet tjetër”, theksoi ministrja Krifca.