Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin organizmin dhe funksionimin e policimit vullnetar.
Sipas vendimit të publikuar nga Këshilli i Ministrave, Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit për sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare. Për dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale.
Po ashtu për dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore. Për kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit, si edhe për përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.
Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.
Sipas vendimit të qeverisë, kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë 6. Të jetë shtetas shqiptar;Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar; Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike; Të ketë përfunduar arsimin e mesëm; Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
Po ashtu janë dhe tre kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë. Kështu shtetasit vullnetar duhet të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë dhe të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
Polici vullnetar sipas vendimit të marrë sot na Këshilli i Ministrave, ka të drejtë: Të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit. Të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
Të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë; Të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë; Të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Polici vullnetar gjatë shërbimit dheose jashtë tij ka përgjegjësi: Të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm; Të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit; Të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit; Të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar; Të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë. Kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat, detyrat, kushtet dhe kriteret e nevojshme për kryerjen e shërbimit të policimit vullnetar.
Forma dhe përmbajtja e kontratës tip, efektet, kohëzgjatja, përfundimi apo zgjidhja e saj, si dhe procedurat e ankimit, të pranimit dhe të ushtrimit të së drejtës së ankimit përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të tij. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.