Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar tragjike vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier, deklaroi sot se “pritet me padurim nga të gjithë verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin”
Në një konferencë për shtyp nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rama tha se “e gjithë shoqëria është tronditur nga ndodhia tragjike e pasdites së djeshme në Grecalli të Fierit”.
“Por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit për familjen të afërmit humbja e vogëlushit Mateo. Megjithatë nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në mendjen dhe zemrën e nënës, babait, familjes, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin, i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjes së shpejtë nga Policia e Shtetit gjendet sot mbrapa hekurave”, u shpreh Rama.
“Kjo është një ato ngjarje që të lë pa fjalë dhe duke shqyrtuar vijimësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe kështu për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës”, tha Rama.
Kryeministri Rama i shprehu ngushëllimet prindërve, familjes, të afërmve.
“E di shumë mirë që fjalët në një rast si ky janë krejt të pafuqishme, por sidoqoftë fjalët mbeten dhe pjesa tjetër i takon drejtësisë, e cila në këtë rast duhet të jetë domosdoshmërisht e shpejtë dhe në lartësinë e nevojës të gjithë opinionit publik për një reagim me vendimin më ekstrem të parashikuar nga ligji i Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “e pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje dhe kjo është edhe arsyeja mu duk më udhës që ta bëja këtë sot së bashku me ju në prag të nisjes për vizitën zyrtare në Romë”.
Mateu Vasiu, 8 vjeç u gjet dje i vrarë në banesën e shtetasit Klodian Çalameni, 38 vjeç. në fshatin Gracalli të Fierit. Fëmija u denoncua i zhdukur rreth orës 15:30 ditën e djeshme nga nëna e tij, ndërsa trupi i pajetë është gjetur vetëm pak orë më vonë, i mbuluar me baltë në banesën e 38 vjeçarit Çalameni.