Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin Opinion tha se do ta padisë Ramush Haradinajn në gjykatat e Kosovës për shpifje.
Ai u shpreh se nuk i ka ndjekur deklaratat e tij, por është informuar nga zyra anti-shpifje. Paralajmërimi i Ramës erdhi për akuzat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, i cili më parë është shprehur:
“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkpuntorë në realizimin e kësaj skeme” – ka thënë Haradinaj pak ditë më parë.
Por Rama tha se paratë e fituara nga gjyqi për shpifje do të shkojnë për arsimin dhe veçanërisht për gjuhën shqipe. Shefi i qeverisë shqiptare tha se Haradinaj duhet të provojë në gjykatat e Kosovës sesi do ndaheshin këto 10 miliardë.
Ai e kritikoi edhe për një vendim të tijin, që sipas Ramës, e bën fajtor Haradinajn për mos-liberalizimin e vizave.
“Ai sot kishte mundësinë t’i jepte popullit të tij liberalizimin e vizave. Sepse i tha Macroni në syrin tim, pezulloje taksën vetëm 4 muaj ndërkohë që Serbia do të pezullojë fushatën e mos-njohjeve. Unë i thashë Ramush merre se kjo nuk vjen më. Ai e refuzoi” – tha Rama./opinion.al