Kryeministri i Mali të Zi, Zdravko Krivokapic e cilëson si mashtrim iniciativën për fomimin e qeverisë pakicë. Por opozita malazeze e shikon qeverinë e pakicave, si të vetmen mënyrë për të dalë nga kriza.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarët kundërshtoi ashpër paralajmërimin për formimin e një qeverie të pakicës duke e cilësuar si “mashtrim” këtë nismë. Qeveria e pakicës është propozuar nga zëvendëskryeministri dhe lideri i Lëvizjes Qytetare “Ura”, Dritan Abazoviq. Kryeministri Krivokapiq vlerësoi se një qeveri të tillë do ta përkrahin politikanët e korruptuar të qeverisë së kaluar nga Partia Demokratike e Socialistëve, e cila tani është në opozitë.
Sipas kryeministrit malazez ka vetëm dy zgjidhje për të dalë nga situata, të cilën ai e cilësoi turbulente: “Njëra është avancimi i punës së qeverisë aktuale dhe tjetra është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbaheshin në maj, bashkë me zgjedhjet lokale. Sipas kryeministrit aktual “kjo është qeveria më e mirë në historinë e Malit të Zi , sepse ndër të tjera ka arritur rritjen më të mirë ekonomike, kujdeset për qytetarët, pasuritë kulturore, ekologjinë, energjetikën etj. “Unë do të jap dorëheqje kur të jem i pasuksesshëm dhe tani kjo qeveri është e suksesshme në bazë të rezultateve”, ka shtuar kryeministri i Mali të Zi, Zdravko Krivokapiq.
Partia më e madhe opozitare (PDS) përkrah iniciativën për fomimin e qeverisë së pakicës
Por Kryesia e Partisë Demokratike e Socialistave e Presidentit Gjukanoviq, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e qeverisë aktuale. Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) pas mbledhjes së Kryesisë tha se e ”mirëpret gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave, që do të çonin në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake-mbështesin propozimin për qeverinë pakicë
Duke pranuar faktin se Mali i Zi ndodhet në një krizë të rëndë politike, sociale, ekonomike dhe shëndetësore dhe se vetëm rreth dhjetë deputetë e mbështesin qeverinë aktuale, ne, përfaqësuesit politikë të popujve pakicë në Parlamentin e Malit të Zi, mbështesim propozimin e shpallur të hënën nga koalicioni “E Zeza në të Bardhë” për formimin e qeverisë pakicë, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Listës Shqiptare, Koalicionit Shqiptar dhe Partisë Boshnjake. Ata janë të bindur, siç thonë, se ky është një model real dhe optimal për dalje nga situata aktuale politike. “Modeli i qeverisjes pakicë, në këto rrethana politike, mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin e nevojshëm dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian”, thonë ata.
Për të iniciuar shkarkimin e qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh. Me mbështetjen e PDS-së së Gjukanoviqit që ka 30 deputetë në Parlament, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kryeministrit Zdravko Krivokapiq./dw