Donald Trump ka ripërtërirë sulmet e tij ndaj ambasadorit britanik në SHBA dhe kryeministres britanike Theresa May
Reagimet e presidentit të SHBA-së kundër kryeministres May dhe Sir Kim Darroch filluan pas zbulimit të disa raprtimeve të ambasadorit të Britanisë së Madhe në Uashington, në të cilat ai e kishte quajtur Shtëpinë e Bardhë të Trump “të paaftë” dhe “jofunksionale”.
“Ambasadori i një lloji tjetër që Mbretëria e Bashkuar dërgoi në Shtetet e Bashkuara nuk është dikush me të cilin jemi të kënaqur, një tip shumë budalla”, shkruan Trump të martën në mëngjes në Twitter. “Ai duhet të flasë me vendin e tij, dhe me kryeministren Maj, rreth negociatave të tyre të dështuara të Brexit dhe të mos mërziten me kritikat e mia se sa keq u trajtua kjo çështje”.
“I kam thënë Theresa_May se si ta bënte atë marrëveshje, por ajo vazhdoi në mënyrën e vet budallaqe – dhe nuk qe në gjendje ta bënte. Një fatkeqësi! Unë nuk e njoh ambasadorin por më është thënë se është budalla.
Trump, i cili ka të drejtën për të dëbuar çdo diplomat të huaj që ai nuk dëshiron, kishte njoftuar më parë se SHBA do të “nuk do të merrej më” me Sir Kim, i cili nuk ishte “i pëlqyer apo i menduar mirë”. Ai gjithashtu kritikoi kryeministren May për “rrëmujën” që Trump beson se ajo kishte krijuar me Brexit.
Zëdhënësi i May u përgjigj duke thënë se është qeveria e Britanisë së Madhe e cila “përcakton se kush është ambasadori i saj”.
Kriza diplomatike në rritje ndërmjet SHBA–së dhe Britanisë u shkaktua kur disa raportime diplomatike të Sir Kim u bënë publike të dielën. Në to, ai e përshkruan administratën amerikane si jofunksionale dhe vë në dyshim nëse ajo do të jetë ndonjëherë e aftë.
Në një vlerësim të ashpër, Sir Kim shkruante: “Ne nuk besojmë me të vërtetë se kjo administratë do të bëhet thelbësisht më normale; më pak jofunksionale; më pak e paparashikueshme; diplomatikisht më pak e ngathët dhe e paaftë “, raporton Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.