Kriza qeveritare në Venezuelë ka ndarë botën në dy grupe. Ky vend është tronditur nga protestat që mbahet nga 10 janari kur presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.
Tensionet u zgjeruan në të gjithë vendin kur kreu i opozitës, Juan Guaido, u vetëshpall president i përkohshëm më 23 janar.
– Amerika
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, doli me një deklaratë duke njohur kreun e Asamblesë Kombëtare, Guaido, të udhëhequr nga opozita, si president të përkohshëm të vendit.
Brazili dhe Organizata e Shteteve Amerikane e njohën Guaido-n si udhëheqës të Venezuelës para njoftimit të tij zyrtar.
Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panama, Hondurasi, Peruja dhe Paraguai ndoqën të njëjtin shembull.
Bolivia, Kuba dhe Meksika ishin të vetmet vende në rajon që vazhdojnë të njohin presidencën e Maduro-s si aleatë të majtë. Po ashtu, Meksika, dikur një anëtar i Grupit Lima, është e gatshme të ndërmjetësojë në konfliktin politik të Venezuelës.
Grupi Lima është një trup i 12 vendeve të Amerikës Latine.
– Vendet e BE-së
Një total prej 19 vendesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Spanjën, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, u bashkuan të hënën në njohjen e Guaido-s si president pas skadimit të një periudhe tetë ditore për thirrjen e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe transparente në Venezuelë.
Vendet e tjera që njohin Guaido-n si president të përkohshëm janë edhe Portugalia, Danimarka, Holanda, Hungaria, Austria, Finlanda, Belgjika, Luksemburgu, Republika Çeke, Letonia, Lituania, Estonia, Polonia, Suedia dhe Kroacia.
Vetëm dy vende në Evropë, përkatësisht Italia dhe Greqia, po rezistojnë miratimin e një pozicioni të përbashkët me BE-në në favor të Guaido-s.
Zv/kryeministri italian, Luigi Di Maio, ka refuzuar të mbështes Guaido-n, pavarësisht dallimeve në qeverinë e koalicionit qeverisës italian, duke theksuar se ai nuk është zgjedhur nga populli i kombit të Amerikës së Jugut.
Ministri grek alternativ i Punëve të Jashtme, Georgios Katrougalos, po ashtu tha se zgjidhja e krizës aktuale në Venezuelë është dialogu.
Izraeli dhe Australia po ashtu njohën Guaido-n si president të përkohshëm.
– Mbështetje për presidentin Maduro
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, një ditë pas mbështetjes së SHBA-ve për Guaido-n, ka shprehur solidaritet me presidentin Maduro, duke theksuar se Turqia kurrë nuk merr anë me komplotët e grusht shtetit.
Rusia dhe Kina po ashtu kundërshtuan thirrjen e SHBA-ve për të mbështetur Guaido-n dhe dënuan çdo ndërhyrje në çështjet e brendshme të Venezuelës.
Irani në këtë krizë ka mbështetur Maduro-n, pasi zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Bahram Qasemi, deklaroi se, “Irani kundërshton të gjitha ndërhyrjet e jashtme në çështjet e brendshme të Venezuelës”.
Nga ana tjetër, i dërguari i Afrikës së Jugut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se vendi i tij është kundër çdo përpjekjeje për “ndryshim të panevojshëm ose jokushtetues” të qeverisë në Venezuelë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se trupi global nuk do të bashkohet me asnjë palë në diskutimet që përfshinin krizën politike në Venezuelë.
Kreu i Partisë Komuniste të Kenias (CPK), Benedict Wachira, dënoi ndërhyrjen e SHBA-ve në Venezuelë, duke e quajtur atë “gabim dhe jodiplomatik”.
India bëri thirrje për një dialog midis palëve në Venezuelë.
Palestina e përshkroi vetëdeklarimin e Guaido-s si një “përpjekje për grusht shteti” dhe ofroi mbështetjen e saj për presidentin Maduro. AA