Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj austriak Alexander Schallenberg dje në Podgoricë, Fajon tha se Mali i Zi rrezikon të humbasë besimin në Bashkimin Evropian.
Fajon tha se së bashku me Schallenberg, kishin ardhur në kryeqytetin malazez si ndërmjetës të BE-së në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE- së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
” Nëse Mali i Zi nuk arrin të krijojë institucione funksionale , Brukseli mund të konsiderojë pezullimin e të gjithë procesit të pranimit në BE ,” vuri në dukje Fajon.
Ajo tha gjithashtu se nëse Mali i Zi formon qeverinë e tij të re bazuar në ligjin e ndryshuar për presidentin, BE do të vërë në dyshim bashkëpunimin e saj me këtë qeveri ” të krijuar në bazë të një ligji të diskutueshëm “.
Fajon theksoi gjithashtu nevojën për ngritjen urgjente të Gjykatës Kushtetuese.
“ Presim këtë të premte që procedura për emërimin e gjyqtarëve të nisë dhe të përfundojë deri në fund të janarit ”
Alexander Schallenberg vuri në dukje se Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e negociatave dhe se ai është një model për rajonin.
” Tani gjërat duken pak më ndryshe. Ne po shohim polarizimin në rritje në popullatë dhe peizazhin politik. Po shohim një ngecje virtuale në shumë çështje kyçe të reformës në këtë vend. Kjo nuk është një vizitë dypalëshe nga dy miq. Kjo Nuk është një udhëtim i këndshëm. Kjo nuk është një vizitë për argëtim. Kjo është një vizitë e shoqëruar me një paralajmërim të qartë, por edhe një inkurajim të qartë, si një mesazh nga Bashkimi Evropian “, tha ai.
Mali i Zi ka qenë në krizë politike që nga gushti, kur kabineti i Dritan Abazovic ra pasi ai nënshkroi një marrëveshje që lidhte marrëdhëniet e shtetit me Kishën Ortodokse Serbe.
U formua një shumicë e re qeverisëse, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-Serb, me mbështetjen e Abazovic, i cili emëroi Miodrag Lekiç, një diplomat nga epoka e Sllobodan Millosheviçit, si kandidat për kryeministër.
Presidenti Milo Dukanoviç refuzoi t’i jepte një mandat për të formuar një qeveri Lekiçit me arsyetimin se ai nuk ishte i bindur se parlamenti do ta mbështeste atë.
Si përgjigje, shumica qeverisëse miratoi një ligj të ri mbi kompetencat e presidentit, i cili i kufizon ato dhe detyron Dukanoviç t’i japë mandatin një kandidati që ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve në parlament.
Ligji u cilësua jokushtetues nga Komisioni i Venecias dhe diplomatët e huaj.
Kriza është acaruar nga Gjykata Kushtetuese që nuk funksionon, pasi prej muajsh deputetët nuk arrijnë të bien dakord për përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj.
Mbështetësit e opozitës mbajnë protesta masive çdo javë, duke kërkuar tërheqjen e ligjit për presidentin dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.