Kryeministri Edi Rama deklaroi i prerë sot se nuk do të ketë negocim për mandatin e dhënë nga populli kësaj mazhorance. Ai tha se janë të gatshëm për dialog dhe dora mbetet e shtrirë por se nuk negociohen rregullat themelore.
“Ka të tjerë që kanë ardhur sot, do vazhdojnë të vijnë dhe ka tjerë jashtë këtyre mureve. Ne nga ana jonë duhet të bëjmë çdo ditë reflektimin tonë se çfarë nuk shkon siç duhet dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë. Ne jemi në të drejtën tonë. Jemi gjithmonë të gatshëm të flasim, në çdo moment, dora jonë është e shtrirë, jemi gati të dialogojmë për gjithçka por ne nuk jemi gati dhe s’do jemi asnjëherë gati të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi ku njerëzit zgjedhin dhe respektojnë mandatin dhe çdo sistemi tjetër. Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatin e marrë nga shumica dërrmuese e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd”, theksoi kryeministri.