Berlini bëri bashkë ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë që përfaqësohej nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, theksoi se tani është momenti që procesi i zgjerimit duhet të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur BE-ja premtoi në Selanik anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet të pranojmë se ky premtim nuk është përmbushur, ndaj dhe unë mund ta kuptoj pse shumë njerëz janë të zhgënjyer nga kjo. Ne tani kemi një shans historik për të rinovuar premtimin që është bërë, duke ndërmarrë veprime konkrete. Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është një domosdoshmëri gjeopolitike. Ne nuk i shohim vendet tuaja si ‘zona gri’, por si partnerë, si miq evropianë. Duam që ju të anëtarësoheni në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Baerbock.
Takimi i kryediplomatëve të Ballkanit Perëndimor i paraprin takimit të liderëve të këtij rajoni që do të zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.