Nga Genc Mlloja
Ndërsa shteti i Kosovës po lavdërohet për organizimin e përkryer të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, shefi i ri i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell deklaroi sot në seancën e konfirmimit të tij në Parlamentin Europian se Kosova nuk mund të ishte shtet.
“Për aq kohë sa nuk e njohin Rusia dhe Kina, Kosova nuk mund të jetë shtet”, tha shefi i ardhshëm i diplomacisë evropiane.
Ai po paraqiste platformen e tij të ardhshme për diplomacinë e bllokut.
Borrell është përfaqësues i Spanjes, një ndër 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Sipas kumteses se tij sot, marreveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë në mesin e prioriteteve te tij.
Jo Z. Borrell nuk mundeni kurrë të jeni arkitekt i vërtetë paqeje midis Beogradit e Prishtinës kur Kosova, sipas jush, nuk qenka shtet!!!
Një shërbim të mirë i bëtë zoti diplomat spanjoll, tash kryediplomat i Brukselit, diplomacisë së re të shtetit kosovar sepse ajo e mësoi tashmë zyrtarisht nga podiumi i Parlamentit Europian vijen politike të ministrit të ri të jashtem europian dhe çfarë qëndron pas ‘prioritetit’ të tij për dialogun Prishtinë-Beograd: nuk ekziston shtet i Kosovës.
Megjithatë nuk mund ta prish diplomati spanjoll festen e demokracisë elektorale në shtetin e Kosovës prej ku një popull tregoi si votohet e si numrohen brenda standarteve demokratike votat në kohë rekord të papare në një vend të Ballkanit Perëndimor.
Foli me vote populli i një vendi sovran europian në shtetin e vet e njeh apo jo Spanja e Z. Borrell që akoma i ka të ngaterruara ‘letrat’ e veta në kufijt aktuale.
Brukseli zyrtar nuk ka se si te lejoje një kryediplomat të Unionit të bëje diplomaci nën makthin e ”krizes katalonase” aq më shumë për çështje kaq delikate siç është pretendimi absurd i Serbise ndaj integritetit territorial të Kosovës së pavarur!
/argumentum.al/
© Argumentum.