“Duam që Shqipëria e Maqedonia të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave”.
Ky është qëndrimi i shprehur nga ministri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Melescanu, vend ky që mban kryesinë e radhës në Bashkimin Evropian.
“Ballkani Perëndimor do të jetë në axhendën e takimit të ministrave të Jashtëm të BE më 31 janar në Bukuresht”, u shpreh gjithashtu ai.
“Këtë prioritet e kemi marrë nga presidencat e mëparshme të BE, sidomos nga Bullgaria dhe Austria. Ndërsa po planifikojmë së afërmi të flasim për këtë, përfshirë edhe takimin më 31 janar në Bukuresht, fillimisht mes nesh, vendeve anëtare dhe pastaj më vonë do të ftojmë në dialog të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
Mes të tjerash, shefi i politikës së jashtme të Bukureshtit zyrtar nënvizoi se “pozicioni ynë kombëtar është mbështetja e përshpejtimit të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi në drejtim të anëtarësimit në BE, hapja e kapitujve të rinj për negociim”.
“Ne dëshirojmë, dhe ky do të jetë propozimi im- që ish- Maqedonia Veriore) dhe Shqipëria të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Na mbeten dy vende në Ballkan, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, që janë në një fazë fillestare, me ta ne do të jemi gati të flasim dhe të shohim si mund të mbështeten përpjekjet e tyre europiane, nëse kjo është ajo që ato dëshirojnë në nivel qeverish dhe shtetesh në fjalë”, përfundoi ai.