Shqipëria ka qenë që në krye të herës, përkrah aleatëve, si dhe autoriteteve të Irakut, në përpjekjet e përbashkëta për të shkatërruar përfundimisht ISIS-in.
Kjo është garancia që ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka dhënë dje në takimin e ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për Shkatërrimin e ISIS, organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në Uashington.
Aktivitet ky, i cili zhvillohet prej disa vitesh dhe shërben si një forum i rëndësishëm në orientimin dhe bashkimin e përpjekjeve globale në luftën për shkatërrimin e plotë të ISIS, si dhe për shpalosjen e nismave, angazhimeve dhe projekteve të reja të Administratës Trump dhe partnerëve në koalicion, për ndërtimin e paqes dhe të ardhmes në Siri dhe Irak.
Mes të tjerash, Cakaj në fjalën e tij vlerësoi se “solidariteti që ka karakterizuar koalicionin, vendosmëria dhe kontributi substancial i përbashkët, ka dhënë rezultate të shkëlqyera në luftën kundër terrorizmit dhe ISIS”.
Ndërsa në përfundim të fjalës së tij shprehu gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me aleatët, për të ndërtuar paqen e vështirë në rajon dhe inkurajuar qeverinë e Irakut për të siguruar dhe çuar përpara fitoren e arritur, për konsolidimin e paqes së qëndrueshme dhe prosperitetin ekonomik të vendit.