Kryetari në detyrë i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në një dalje për mediat u shpreh se puna e Gjykatës së Lartë ka mbetur në vend, për shkak të procesit të vettingut.
Zaganjori bëri me dije se janë mijëra dosje janë në pritje në këtë gjykatë. Ai nënvizoi faktin se iu ka dhënë urdhër gjyqtarëve që të merren më së paku me dosjet urgjente, me masat e sigurisë apo ekstradimet, të cilat janë edhe çështje më bazike
“Duhet që të vihet në funksion gjykata, që të trajtohen së paku çështjet urgjente. Ne po merremi me ruajtjen dhe administrimin e dosjeve. Të gjithë gjyqtarët i kam përgatitur që të trajtojnë tema urgjente.
Përpiqemi të bëjmë këtë punë që kemi mundësi. Ka dosje në Gjykatën e Lartë, që janë administrative, penale etj. Duhen të zgjidhen sa më shpejt çështjet e rëndësishme”, tha Zaganjori në fjalën e tij.
I pyetur nëse është i kënaqur me atë që po ndodh me drejtësinë, Zaganjori tha se është i vendosur të zbatojë ligjin.