Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale një kolazh fotosh nga festimet që u zhvilluan në kuadër të 28-29 Nëntorit, dy ngjarje të rëndësishme historike për kombin shqiptar, 112-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, si dhe 80-vjetori i Çlirimit.
Rama publikoi foto nga ceremonia shtetërore e pritjes në Presidencë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë autoritete të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, pasardhës të familjeve atdhetare të firmëtarëve të Pavarësisë, përfaqësues të forcave politike shqiptare në Shqipëri dhe rajon, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të komuniteteve fetare, si dhe personalitete të sipërmarrjes, artit, kulturës dhe medias.
Po ashtu Rama ndau foto nga ceremoninë e ngritjes së flamurit pranë monumentit të Pavarësisë, Vlorë, ku ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, prefekti i qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare, qytetarë, etj. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Teksa ka ndarë disa foto edhe nga homazhet e kryera mëngjesin e 29 Nëntorit tek Varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Gjithashtu në galerinë e fotove vend të rëndësishëm zënë edhe vizitat në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, një vepër madhore që po ndërtohet për të gjithë shqiptarët si dhe në Qendrën Multifunksionale për Zhvillim Rajonal, në Vlorë.
Një hapësirë publike e teknologjisë dhe inovacionit që po merr dimensione, si një habitat për start up-e, aktivitete kulturore e ekonomike, që do të mirëpresë të rinj nga Shqipëria, rajoni e bota dhe që do të gjenerojë të ardhura përmes projekteve, duke i dhënë një shtysë të re edhe zhvillimit të turizmit në Vlorë.
Në ditën jubilare për Shqipërinë që shënon 80-vjetorin e Çlirimit, nis edhe puna për ndërtimin e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, një simbol i fuqishëm i Shqipërisë si Europa e Ballkanit.
Rama ndau foto edhe nga inspektimi i punimeve në kantierin e ndërtimit të Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, një simbol i fuqishëm i Shqipërisë si Europa e Ballkanit. Të pranishëm ishin edhe rektorja e Kolegjit të Europës me qendër në Bryzh, Federica Mogherini, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Gjatë javës që shkoi, kryeministri Rama mori pjesë edhe në tryezën IX të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin, me temë “Garantimi i së drejtës së pronës dhe lufta kundër korrupsionit në sektorin e pronave”, ku theksoi se “parlamenti duhet të bëhet epiqendra e një ndërveprimi intensiv që fillon me këtë fazë të këtij procesi dhe që në këndvështrimin tim duhet të vazhdojë deri në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian”.
Në galerinë e fotove zë vend, gjithashtu vizita e kryeministri Edi Rama dhe ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier ku vijuan takimet këshilluese me prindërit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.
“Ne brenda dhjetorit, kemi një vit që merremi me këtë projekt, do të mbyllim marrëveshjen përfundimtare me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për një program të sigurisë në shkollë që është një nga sukseset më të bukura ë teknologjisë dhe që është një rast suksesi i jashtëzakonshëm në atë shtet me vendosjen nën monitorim digjital të shkollës në çdo klasë, në çdo korridor, në hyrje e në dalje. Çfarë ka sjellë atje? Ka sjellë që ka ndryshuar komplet dinamika e jetës në shkollë”, është shprehur Rama.
Ndërsa në Bulqizë, Rama mori pjesë në prezantimin e parkut tematik retro “Divizioni”, që do të jetë një model inovativ i zhvillimit të turizmit duke e transformuar këtë zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët.
“Ky është një projekt shumë i veçantë në llojin e vetë, sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territori që deri në fillim të viteve 2000 i përkiste ushtrisë shqiptare dhe që sot është një shëmbëlltyrë e degradimit, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë”, tha Rama./ATA