Kryeministri britanik Rishi Sunak caktoi 4 korrikun si datën e zgjedhjeve të përgjithshme që do të përcaktojnë se kush do të qeverisë Britaninë e Madhe.
Ai zgjodhi një ditë me lajme të mira ekonomike për t’i nxitur votuesit që t’i japin Partisë Konservatore edhe një mundësi për të qeverisur vendin.
“Tani është momenti për Britaninë që ta zgjedhë të ardhmen e saj,” deklaroi Kryeministri Sunak.
Partia e qendrës së djathtë e Kryeministrit Sunak po ballafaqohet me rënie graduale të përkrahjes pas 14 vitesh në pushtet. Së fundmi kjo parti ka patur vështirësi të kapërcejë një mori krizash përfshirë rënien ekonomike, skandale rreth çështjeve etike dhe ndërrimin e shpeshtë të drejtuesve të saj në dy vitet e fundit.
Partia Laburiste e qendrës së majtë po konsiderohet si fituesja e pritshme e zgjedhjeve.
Spekulimet për zgjedhje filluan pasi zoti Sunak thirri për takim kabinetin e tij të mërkurën pasdite dhe jo të martën, kur mbahet zakonisht mbledhja dhe pasi Sekretari i Jashtëm David Cameron u detyrua të ndërpresë vizitën zyrtare në Shqipëri për të marrë pjesë në mbledhje.
Zgjedhjet do të mbahen në një kohë krize ekonomike që lidhet me koston e jetës dhe përçarjet e thella se si duhet menaxhuar çështja e migrantëve dhe azilkërkuesve, të cilët po bëjnë rrugëtimin e rrezikshëm nga Evropa në Britani.
Shpallja e zgjedhjeve u bë ditën kur të dhënat zyrtare treguan se inflacioni në Britaninë e Madhe është ulur në 2.3 për qind, në nivelin më të ulët të gati tre viteve të fundit.
Rënia e inflacionit gjatë muajit prill shënon edhe përparimin më të madh deri më tani të njërës prej pesë zotimeve që zoti Sunak i bëri në janarin e vitit 2023, përfshirë atë për të përgjysmuar inflacionin, i cili kishte arritur në mbi 11 për qind në fund të vitit 2022. Kryeministri Sunak theksoi se të dhënat e reja tregojnë se plani i tij po funksionon.
“Dita e sotme shënon një moment të madh për ekonominë, me inflacionin tani në nivelin normal,” deklaroi ai të mërkurën. “Ditë më të mira janë para nesh, por vetëm nëse i përmbahemi planit për të përmirësuar sigurinë ekonomike dhe mundësitë për të gjithë.”
Votuesit në Britani të Madhe do të zgjedhin 650 anëtarët e parlamentit britanik për një mandat pesë vjeçar. Partia që fiton shumicën e vendeve në parlament, qoftë vetëm apo si pjesë e koalicionit, krijon qeverinë e re dhe udhëheqësi i saj do të jetë kryeministri i ardhshëm.
Aktualisht, drejtuesi i Laburistëve, Keir Starmer, ish kryeprokuror i Anglisë dhe Uellsit, është kandidati më i favorshëm. Partia Laburiste shënoi një avantazh të dukshëm pas humbjeve të mëdha të Partisë Konservatore në zgjedhjet vendore që u mbajtën në fillim të majit.
Zoti Starmer, 66 vjeç, është zotuar për stabilitet ekonomik, përmirësim të sigurisë kufitare, shtim të numrit të punonjësve të arsimit dhe oficerëve të policisë, si dhe zvogëlimit të radhëve të gjata të pritjes në spitale dhe klinika mjekësore në mbarë vendin.
Zgjedhjet e fundit në Britani janë mbajtur në dhjetor të vitit 2019.