Konferenca me gazetarët pyetje – përgjigje
–11 vite më parë ju mendonit që ishte sistemi që korruptonte individin, sot pas 11 vitesh kur shumë funksionarë të lartë në pushtetin qendror dhe pushtetin lokal janë përpara drejtësisë, mendoni po njësoj zoti Rama?
Kryeministri Edi Rama: E para, është e habitshme për mua që prej vitesh i përgjigjem kësaj pyetje dhe prej vitesh vazhdon kjo pyetje. Unë nuk e di ça nuk kuptohet nga ato që them unë, pastaj jeni apo nuk jeni dakord kjo është liria juaj, por dua t’iu kujtoj që ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është e shkëputur nga ajo që unë kam thënë, janë bashkë sepse kur unë kam thënë nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit, e para, nuk kam thënë një fjalë që e kam shpikur unë, është dituri publike kjo. E kam mësuar dhe e besoj 100% dhe e dyta pikërisht se e kam besuar atë që kam thënë e kam udhëhequr reformën në drejtësi si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë, kështu që kur ju thoni sa shumë njerëz, e para njëherë nuk e di se me çfarë e masni këtë sepse shumë apo pak është relative dhe varet nga çfarë pike referimi nisesh për të thënë shumë apo pak. Partia Socialiste ka 800 mijë mbështetës, do ketë edhe më shumë në pranverë. Ka një numër nuk i kam numëruar po besoj se do ketë pasur gjatë këtyre tre mandateve mbi 50 ministra besoj, duhet të ketë gjatë këtyre tre mandateve, po të marrim parasysh edhe kohën përpara reformës së decentralizimit, pushtetit vendor mbi 500, 600 drejtues vendor. Mund të ketë pasur mbi 200 deputet, çfarë do të thotë tani shumë, shumë çfarë, e para.
E dyta, patjetër se ju e kush të dojë mund të thotë që reformën në drejtësi e solli Amerika me aeroplan mund ta thoni. Mund të thoni që reformën e solli BE-ja me vapor nga Brindizi. Ndërkohë që për këdo që njeh ose do të njoh historinë e reformës në drejtësi mjafton të kthehet mbrapa në histori kur ne ishim në opozitë, shumë më parë sesa 2013 sepse janë në dokumente, në dokumente. Ka një dokument të shkruar që opozita e asaj kohe se tani ju jeni mësuar me opozitën pa shkrim e këndim po opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë së asaj kohe.
Një dokument propozimesh që quhej Pakti për Shtetin e së Drejtës, Pakti për Shtetin e së Drejtës. Është dokument, kërkojeni dhe lexoni aty çfarë thotë ai pakt. Ka prapë më mbrapa, ka shënime të mbajtura nga mbledhjet për programin e Partisë Socialiste në opozitë, – do bëjmë Reformën në Drejtësi –Jo nuk e bëjmë dot se duhen ndryshime kushtetuese dhe nuk e vëmë dot në program. – Do ta bëjmë. Po si do ta bëjmë se ne nuk do të marrim 94 vota, s’do marrim as 84 vota. –ore do ta bëjmë, do ta heqim drejtësinë nga duart e pushtetit politik, le të kushtojë, sa të kushtojë. Janë fakte këto të shkruara, të bëra, ka dëshmitarë pafund dhe keni përballë krye dëshmitarin. Ju çuditërisht kujtoni se kur më thoni mua, lerë njëherë se janë ca që janë komplet fare, që ja iku, skam më, ia morën të gjithë, ia kapën të gjithë. Ca më kapën? Është habi e madhe shumë. Megjithatë nuk ka problem, secili ka këndvështrimin e vet.
Ajo që unë di të them është që nëse kjo po ndodh në Shqipëri, unë nuk dua të hyj në komente, në diskutime. Nuk dua të hyjë në asnjë koment e kam thënë me kohë. Nëse kjo po ndodh në Shqipëri, të drejtën e autorit për faktin që u shemb një sistem dhe e kam thënë, e keni të regjistruara që nga i ndjeri president që s’është më, tek të tjerët që më sulmonin se thosha do ta shembim këtë sistem drejtësie, është shembur apo jo? Si arkitekturë flas, se pastaj mund të diskutojmë sa të doni për shumë gjëra që nuk shkojnë, por si arkitekturë, a është shembur apo nuk është shembur? A do ta pastrojmë llumin nga sistemi drejtësisë? Janë fjali të miat shumë kohë më përpara se të bëhej reforma. Është pastruar një pjesë e madhe e llumit, jo i gjithi po është pastruar një pjesë e madhe e llumit apo jo? U pastruan me vettingun apo s’u pastruan. Tani si ishte kjo si ishte. Me kë po flisni, kujt po ia thoni këto dhe mos vallë mendoni që kur unë kam thënë në mënyrë të përsëritur që duam një drejtësi që të shofi drejtë, as majtas e as djathtas dhe kur të jetë për të goditur të godasë kë duhet të goditur, majtas dhe djathtas, mendoni se kam bërë retorikë për qejf.
Kam menduar çdo gjë që kam thënë dhe kijeni parasysh unë çdo që them e mendoj. Në kuptimin që e besoj, gjëra që nuk i besoj nuk i them. Dhe kërkojeni një kryeministër në të gjithë Europën s’po hyj në vendet nordike, flasim që nuk ka bërë një koment për një çështje konkrete, një. E më thoni kush është e ma sillni, pse? Sepse unë që bëj koment edhe për punën tuaj vallë nuk kam komente për të bërë mendoni ju, kam plot, por ama është vendimmarrje strategjike kjo, nuk është që kemi hequr duart nga ai pushtet është hera e parë në historinë e këtij vendi, ose ma gjeni mi kundërshtoni me fakte këto se me llafe. Historia kur lexohet, duket sikur është bërë nga njerëz që kanë ardhur nga Hëna. Jo, kështu kanë qenë dhe ata që kanë bërë historinë që lexojmë ne. Kanë qenë njerëz, si ju, si unë, si ne. Kjo është një kohë që po bëhet histori në Shqipëri. Dhe unë ua kam thënë, unë nuk jam këtu, as për të ngrënë pula, as për të shijuar jetën sipas mënyrës sesi e kuptojnë shijimin e jetës ata që kanë më shumë vetura se çorape. Unë jam këtu për historinë dhe ne në këtë kohë po bëjmë histori. Tani, më hyni në gjëra konkrete, mund të diskutojmë sa të doni, por mos harroni një gjë, është hera e parë që nga viti 1912-të, se atë po ju thosha më parë, po e them prapë, më jepni fakte, më tregoni kur ka pasur Shqipëria një gjyq, një proces të pandikuar nga pushteti politik, të paorientuar nga pushteti politik, të pa diktuar nga pushteti politik, që ka çuar deri në burg, një person të lidhur me pushtetin politik. Kur them pushtetin politik, kam parasysh njerëzit e pushtetit, s’kam parasysh vetëm qeverinë. Ma thoni vetëm një rast, një, ‘one’! s’ka pasur. S’ka pasur për arsye të ndryshme në histori. Ka pasur faza të ndryshme historia dhe nuk ka pasur sistem drejtësie siç duhet. Thonë që ka pasur, dhe e diskutueshme, drejtësi të mirë në kohë të Zogut. Dakord! Mund të ketë pasur në një nivel të caktuar, por jo për ministrat e Zogut, jo për bashkëpunëtorët e Zogut, për ata që donte Zogu. Më pas, për ata që donte apo s’donte tigri, e kam fjalën për tigrin e vërtetë, atë të komunizmit. Pastaj, donte apo s’donte skifteri. E kam fjalën për këtë sorrën që kemi pasur në formë skifteri për disa vite, tani është sorrë. Domethënë, sot është kështu, kështu që çfarë më pyesni?!
– Zoti kryeministër, pyetjen time do ta ndërtoj bazuar në dy vlerësimet që ju sapo dhatë për prokurorët e SPAK-ut në kontributin e tyre në luftën me krimin e organizuar. Disa vite më parë, kur Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi si kampion të antikorrupsionit, zotin Ardian Dvorani, ju i dedikuat një koment të gjatë dhe më pas e keni komentuar këtë zhvillim që erdhi nga Uashingtoni, si një vlerësim natyrisht personal për zotin Dvorani, por edhe për reformën në drejtësi. Ndërkohë, tre javë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli zotin Altin Dumani si kampion të antikorrupsionit, por ka munguar një urim apo një koment nga ana juaj, përse kjo?
Kryeministri Edi Rama: Në çfarë viti ka ndodhur e para?
– Përpara rreth 3-4 vitesh.
Kryeministri Edi Rama: Ma jep me vit.
– Memoria bën të vetën.
Kryeministri Edi Rama: Memoria bën të vetën.
– Dy vite.
Kryeministri Edi Rama: Memoria bën të vetën, pse ta thashë? Sepse nuk ka rëndësi viti konkret ndoshta, por janë dy kontekste krejt të ndryshme. Nuk është i njëjti kontekst. Janë dy kontekste krejt të ndryshme, dhe nuk e kuptova fare sesi mund të humbisje të vetmen pyetje që kishe shans të bëje përse një burrë ka uruar një burrë dhe s’ka uruar një burrë tjetër. Më ke habitur!
-Zoti Rama, ju folët sot për shumë çështje, herë pas here përmendët edhe median, duke thënë ndër të tjera që shumë lajme nuk kanë dalë, nuk i kemi transmetuar. Pyetja ime lidhet me bunkerizimin që kanë bërë ministritë e Shqipërisë. Asnjë prej ministrave gjatë gjithë vitit, nuk ka dhënë një konferencë për media, jo deklarata. Kryetarët e bashkive, shembulli konkret është zoti Veliaj, i cili që ditën e parë që ka ardhur në zyrë, nuk ka dhënë as edhe një konferencë për gazetarët, ndaj ndoshta disa lajme nuk kanë dalë. Në proces të përafrimit me Bashkimin Europian do të jepni këshilla vitin e ardhshëm që të jenë më transparentë ministritë tuaja dhe Agjencia për Media dhe Informim që ka bunkerizuar gjithë informacionin.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di sa serioz je në këtë pyetje, se ministrat dalin çdo javë aty poshtë te shkallët, i përgjigjen të gjitha pyetjeve. Tani se lëshove një fjalë për propagandë. Nëse faktet janë propagandë dhe gjysmë të vërtetat janë fakte, atëherë jetojmë dhe është e vërtetë që jetojmë në një kohë, ku shumë gjëra janë kthyer përmbys, jo në Shqipëri, por në gjithë botën. Mbase, dhe jo mbase, jam i bindur tani, që për ju gjithë kjo që bëra unë sot, është propagandë, nuk e diskutoj fare. Ekzakt. Ndërkohë çfarë bëra unë? Përfitova nga ky eveniment i fundvitit, dhe konferencat e fundvitit mund t’i shikoni dhe në raste kur bëhen në vende demokratike nga kryeministrat dhe janë shumë të gjata, përfitova që të ndaj me publikun fakte, dhe jo propagandë. Problemi është që këto fakte, në një masë të madhe bien ndesh me çfarë shumëkush i tregon publikut përditë. Bien ndesh! Mirëpo këto janë fakte! Nuk është propagandë! Janë fakte! Dhe përsa i përket agjencisë që përmende, Agjencia përgjigjet në kohë reale, jo nesër. Në kohë reale, brenda ditës dhe këtë gjë unë e di si fakt, jo si opinion sepse marr në mënyrë të përjavshëm raportin çfarë kërkohet nga gazetarë dhe çfarë jep përgjigje agjencia. Kështu që më vjen shumë keq. Duhet të verifikosh numrin nëse e ke të saktë apo jo, aty ku çon pyetjet e tua, sepse të jesh i sigurt sepse Agjencia të kthen përgjigje brenda ditës, edhe pse afatet janë ndryshe, siç ju e dini, nuk janë brenda ditës. Dhe e fundit, nuk di a e keni parë, po që mund të mos ta keni dhënë lajm është shumë e natyrshme, ne kemi publikuar një platformë të re që quhet “Transparent Albania” dhe ajo ka filluar të popullohet me të dhëna dhe unë besoj që deri nga mesi i vitit të ardhshëm do jetë një platformë që ju dhe kushdoqoftë, mund të mësojë në kohë reale çdo gjë që bën qeveria e Republikës së Shqipërisë çdo para që shpenzon, çdo kontratë, çdo vendim jo thjesht qeveria, por dhe ministritë e të gjitha. Aty do të kemi edhe një rubrikë të veçantë për të bërë transparencën tonë në lidhje me shumë nga gjysmë të vërtetat që publikohen në platformat tuaja, që siç thotë një fjalë që mua më pëlqen shumë ta përsëris “Gënjeshtrat më të mëdha janë gjysmë të vërtetat”.
-Me vendimin e fundit të qeverisë për mbylljen e Tik Tok-ut, të cilën ju e përmendët edhe në fjalën tuaj, ky vendim ka nxitur mjaft skepticizëm por edhe akuza që ju vijnë nga kundërshtarët tuaj politikë se, sipas tyre, ky vendim nuk ka ardhur për të mbrojtur fëmijët por për qëllime elektorale. Në fakt, edhe rasti rumun tregon edhe se Rusia përdori Tik Tok-un për të ndikuar zgjedhjet. Ju i druheni kësaj?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e ndryshoj dot tjetrin. Tjetri është ai që është, cilido qoftë, ne nuk e ndryshojmë dot tjetrin. Unë nuk e kam në kulturën time që t’i them dikujt “Ti e ke bërë këtë sepse ke pasur në mend këtë” pa pasur asnjë provë. Unë nuk e kam këtë në kulturën time. Unë nëse i them tjetrit “Ti ke bërë këtë” duhet të kem 1 provë të vetme ose pastaj debatojmë me opinionet e tjetrit, por me faktet unë nuk bëj luftë, as nuk e luftoj tjetrin duke ia paraqitur opinionet e mia si fakte as nuk pranoj që të luftohem në të tillë.
– Zoti kryeministër, sërish drejtësia. Unë e di që ju nuk do të flisni për drejtësinë, për vendimet e drejtësisë pasi në çdo konferencë ka ndodhur e njëjta gjë, por ju vendosni për bashkëpunimin politik. Duke nisur me rastin që Erion Veliaj, një nga figurat e rëndësishme të Partisë Socialiste, jo vetëm si kryetar i Bashkisë së Tiranës, por edhe si drejtues politik, a i cënohet jeta politike në Partinë Socialiste Erion Veliajt pas nisjes së hetimit nga SPAK ndaj tij?
Kryeministri Edi Rama: Përkohësisht, di që Erion Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës, por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cënohet dinjiteti nga prokurorë dhe gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve e të socialeve. Këtë e di me siguri. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër, nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim. Unë nuk bëj komente për çështjet që i takojnë institucioneve të drejtësisë. Mund të bëj koment, deri më sot, kjo mund të ndryshojë. Kur të ndryshojë duhet të ketë një arsye shumë të fortë dhe pastaj do ta ndaj me ju ,por deri sot ky është qëndrimi im. Mund të bëj koment për ndonjë vendim të formës së prerë siç kam bërë për një shpifësh recitiv për një vendim që ka qenë një nga vendimet më të drejta dhe më të mirëseardhura për mua në këtë vend ku shpifja është bërë mbret dhe e vërteta është kthyer në skllav. Ndërsa sa i përket rastit konkret nuk përbën përjashtim por ama është pak por e sigurt që linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe që kërkimi i gijotinës për të është skandaloz. Këto janë komente meqë më pyetët por për më shumë nuk kam.
– Gjatë këtij viti opozita ka zhvilluar një seri protestash apo siç i quan “mosbindje civile”, por që si kërkesë kryesore kanë pasur ngritjen…
Kryeministri Edi Rama: Po të ndihmoj. Mos e konsumo pyetjen për gjëra që nuk janë pjesë e bilancit të qeverisë në këtë fundviti dhe për gjëra që nuk kanë, sinqerisht nuk kanë asnjë pjesë të vëmendjes sime. Nëse do të bësh pyetje tjetër… Mos e harxho pyetjen kot sepse ta thashë eshtë jashtë sferës së interesave të mia të harxhoj minuta të shtrenjta të jetës së mbetur për t’u marrë me subjektin e pyetjes suaj.
– Gjatë kësaj kohe që ju mbajtët fjalimin tuaj këtu ju folët për një seri arritjesh që ka bërë qeveria në sektorë të ndryshëm, por a mund të na thoni një gabim që ka bërë qeveria gjatë këtij viti apo ka qenë një qeveri e mbarë dhe e ka merituar dhuratën e Babagjyshit këtë vit?
Kryeministri Edi Rama: Sa i përket gabimeve, mund t’ju siguroj që, besoj unë, do kemi bërë, jo një, por më shumë se një, me siguri dhe e them pa asnjë ironi sepse të marrësh kaq shumë vendime sa merren në të gjitha nivelet dhe të gjitha vendimet të mos çalojnë për një arsye apo për një tjetër…
Mua nuk më shqetësojnë gabimet që rezultojnë si të tilla kur një vendimmarrje merret me synimin që të bëhet gjëja e duhur. Ajo që është e papranueshme janë gabimet që bëhen me qëllim për të shfrytëzuar fuqinë e vendimmarrjes për të nxjerrë përfitime të tjera. Për këto, secili përgjigjet individualisht ndërsa përsa i përket pastaj vendimmarrjeve që, duke i parë më pas, mendon që mbase nuk ishin në kohën e duhur, mbase nuk ishte në formën e duhur, mbase nuk ishte kjo rruga e duhur, të jesh i sigurt që ka më shumë se një në të gjithë këtë volum pune që bëjmë por në pikturën e madhe unë mendoj që faktet dhe rezultatet flasin vetë.
– Zoti kryeministër, u ndalët gjatë në fjalën tuaj tek drejtësia e re dhe në fakt ka ardhur një kërkesë konkrete nga drejtësia e re, i referohem këtu kërkesës së SPAK-ut për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të saj. Në fakt, kërkesa i është bërë Kuvendit por sigurisht kërkon vullnet politik si kërkesë pasi duhen ndryshime kushtetuese dhe ju si shef i mazhorancës, në fakt, nuk jeni shprehur qartë dhe prerazi për këtë çështje. Pyetja ime është a do të vijojë mazhoranca, Partia Socialiste t’i kryejë këto ndryshime dhe a do ketë një kërkesë edhe për opozitën për bashkëpunim duke qenë se duhen 94 vota?
Kryeministri Edi Rama: Domethënëse në prag të vitit 2025 ju më bëni një pyetje që është për vitin 2028? Faleminderit që nuk e fshehe që ti e di që unë në 2028 unë do jem këtu, por ajo që dua të them, duke marrë shkas nga pyetja, është diçka tjetër. Nëse i kthehemi mbrapa në kohë Reformës në Drejtësi, qëkur ka nisur dhe nëse gjeni një prononcim timin në të gjithë procesin, një, “Duhet bërë kështu, duhet bërë ashtu”, ju lutem ndajeni dhe me mua por nuk besoj se ka. Ajo që unë kam thënë atëherë dhe që kam bërë atëherë ka qenë “Këtë reformë e udhëheqim ne. Ju doni apo nuk doni, do të vini e ta votoni”. Çdo gjë që shkruajmë ne ka dy vija të kuqe; opinionin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian. Po nuk u prekën këto dy vija të kuqe, pra çdo pjesë e reformës merr miratimin e tyre, unë personalisht e votoj pa diskutim.
/Argumentum.al